Ministri Sveçla po merr pjesë në takimin e 20-të të Bordit të Fondit Global për Angazhim të Komunitetit dhe Rimëkëmbjes (GCERF)

Prishtinë

Ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla po merr pjesë në mbledhjen e anëtarëve të Bordit të Fondit Global për Angazhim të Komunitetit dhe Rimëkëmbjes (GCERF) e cila po mbahet në Gjenevë.  

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, ministri Sveçla theksoi përkushtimin e institucioneve në parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, me theks të veçantë për suksesin e deritanishëm në procesin e rikthimit të shtetasve tanë nga zonat e luftës, proces ky për të cilin Republika e Kosovës konsiderohet si model suksesi për vendet tjera.  

Ministri Sveçla në fjalën e tij diskutoi edhe për nevojën e intensifikimit të komunikimit dhe thellimin e bashkëpunimit mes shteteve si një domosdoshmëri e parandalimit dhe luftimit efikas të ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit si një rrezik evident global.  

Fondi Global për Angazhim të Komunitetit dhe Rimëkëmbjes (GCERF) do të vazhdojë punimet edhe gjatë ditës së nesërme ku ministri Sveçla pritet të marrë pjesë në ngjarjen e nivelit të lartë për të diskutuar ndër të tjera edhe për rreziqet e terrorizmit.