Fjala a Ministrit të Punëve të Brendshme z.Xhelal Sveçla në konferencë për shtyp

Prishtinë


Të nderuar gazetarë,

Fillimisht më lejoni të theksoj se jemi duke ndjekur të gjitha zhvillimet dhe jemi të angazhuar që të përcjellim me kujdes çdo provokim dhe veprim për destabilizim nga Serbia. Pas paralajmërimeve direkte të bëra ditë më parë nga vetë presidenti Aleksandër Vucic, gjatë vizitës së tij në njësinë ushtarake Kobra, u pa dhe urdhri i tij për veprimet e tyre të menjëhershme në terren. Bazuar dhe nga informacionet që kemi, ndalimi është bërë me “urdhëra nga lartë”, pra me urdhër të drejtpërdrejtë nga Vucici, dhe kjo dëshmon se Serbia është një shtet diktatorial. Politikat e saj shoviniste e diktatoriale paraqesin rrezik për sigurinë, jo vetëm në rajon por edhe më gjerë.

Dua të theksoj se ngjarjet dje nuk janë vetëm çështje thjeshtë e lirisë së lëvizjes dhe shkelje të marrëveshjeve, sepse ajo ndodh në vazhdimësi. Ngjarjet dje janë një shkelje e të drejtave të njeriut dhe përbëjnë kërcënim të madh për sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Ndalimi i bazuar në origjinën etnike ose kombëtare për qytetarët që kalonin ligjërisht transit është tepër shqetësues. Ky është një precedent i rrezikshëm dhe nuk guxon të tolerohet. Madje, kjo dëshmon edhe më shumë se Republika e Kosovës duket të jetë anëtare e Këshillit të Evropës dhe jo vetëm, por edhe i Interpolit dhe të gjithë mekanizmave tjerë të sigurisë.

Sipas informatave tona, dje së paku 1498 qytetarë janë ndaluar, maltretuar, dhe disa edhe arrestuar dhe janë marrë në pyetje në lidhje me të kaluarën e tyre me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pjesëmarrjen e tyre personalisht në UÇK apo të familjarëve të tyre, si dhe vendndodhjen dhe veprimtarinë e tyre në kohën e viteve 1998-1999.

Atyre u janë marrë dokumentet personale duke i lënë ata pa mundësi për të lëvizur apo për tu kthyer prapa. Qytetarët e Kosovës janë provokuar shumë herë fizikisht dhe verbalisht nga autoritetet policore serbe. Kjo ka shkaktuar frikë dhe shqetësim të madh tek të gjithë, por veçanërisht tek fëmijët dhe të miturit që janë të bllokuar. Përveç presionit psikologjik, ata për orë të tëra kanë pasur mungesë të ushqimit, ujit, dhe branave.

Pjesë e këtyre arrestimeve kanë qenë edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Në mëngjesin e hershëm dje, pas kalimit kufitar në Jarinje, është ndaluar edhe Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë nga radhët e komunitetit serb, Dejan Jankovic. Sipas informatave që kam pranuar nga Policia, 10 pjesëtarë policor janë ndaluar, 5 janë liruar mbrëmë, ndërsa 4 sot dhe vazhdon Zevendësdrejtori i Policisë të jetë i arrestuar.

Zëvendësdrejtori Jankovic është dërguar dje në Rashkë, metodë kjo e përsëritur e autoriteteve të Serbisë, veçanërisht ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, për t'i marrë në pyetje nga agjencia e tyre për inteligjencë. Sipas informatave të fundit, ai është dërguar në paraburgim 48 orësh, me akuzën për prishje të rendit kushtetues, akuzë të cilën presidenti Vucic e përmendi në adresimin e tij gjatë vizitës në njësitin Kobra.

Arrestimi dhe mbajtja e Zëvëndësdrejtorit dhe pjesëtarëve tjerë të Policisë është dëshmia më e qartë se Serbia asnjëherë nuk është angazhuar as për të drejtat e as për integrimin e serbëve në Kosovë. Pjesëtarët e komunitetit serb që angazhohen në institucionet tona janë përndjekur në vazhdimësi nga autoritetet e Serbisë, janë dëmtuar pronat e tyre, dhe janë kërcënuar familjarët e tyre. Fotografitë dhe emrat e tyre janë shpërndarë gjithandej mediave të Serbisë, dhe në grupacione elektronike është bërë linqimi publik i tyre.


Të nderuar,

Fakti që Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, e cila është e vetmja organizatë legjitime e Policisë e njohur ndërkombëtarisht si autoritet i vetëm juridik në Kosovë, është ndaluar dhe më pas është arrestuar dhe transferuar në Rashkë, duhet të jetë alarmues për të gjithë. Nuk është vetëm një abuzim i rëndë nga ana e Serbisë - dhe shkelje e marrëveshjeve dhe praktikave të shumta – Vucic me arrestimin dhe mbajtjen e Dejan Jankovic, qartë synon të dërgojë një mesazh frike dhe frikësimi për serbët e Kosovës që janë të integruar ose që përndryshe do të integroheshin në Policinë e Kosovës. Vucic nuk mund të pajtohet që bandat e tij dhe grupet kriminale janë jashtë Policisë së Kosovës. Ai dhe politika e tij, mendon vetëm për destabilizim dhe territor, as për të drejta e as për mirëqenie të njerëzve të asnjë etnie.

 

Të nderuar gazetarë,

Dje me Zëvëndëskryeministren Gërvalla, kemi takuar ambasadorët e shteteve të Quint të cilët aty dhe në vazhdimësi i kemi njoftuar për veprimet e djeshme të Serbisë. Me qëllim të krijimit të një pamje të qartë dhe të saktë të asaj që ka ndodhur dje, përfshi edhe shifrat dhe personat që janë ndaluar e intervistuar, ne kemi ofruar numrat tanë zyrtar ku qytetarët mund të kontaktojnë për çdo njoftim apo kërkesë autoritetet tona. Kërkoj nga ju që të ndiqni kanalet zyrtare për të marrë informatat e sakta, që të mos ndikoheni dhe bini pre e propagandës që ka për qëllim të përhap frikë dhe pasiguri, propagandë kjo e orientuar dhe dirigjuar drejtpërdrejt nga Aleksander Vucic dhe qeveria e tij.

Bëj thirrje edhe njëherë nga këtu për lirim të menjëhershëm të Zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës, por edhe të qytetarëve të tjerë, pasi që ka informacione ka edhe qytetar të tjerë, lirim e tyre të menjëhershëm dhe kthimin e tyre në Republikën e Kosovës.

Ky veprim i Serbisë kërkon ndëshkim nga bashkësia ndërkombëtare, me qëllim të ruajtjes së paqes dhe sigurisë dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtave elementare të njeriut, mbrojtjen e demokracisë. Dua të siguroj edhe një herë të gjithë qytetarët që do të sillemi me përgjegjësi të plotë karshi obligimeve që kemi marrë për mbrojtjen e jetës dhe pronës së tyre, për të gjithë qytetarët tanë pa dallim, rendit dhe ligjit në shërbim të gjithsecilit si dhe sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.


Skedarët për shkarkim