Ministri Sveçla vizitoi Akademinë Policore të Kroacisë

Prishtinë

Ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla është pritur me nderime në Akademinë Policore të Kroacisë nga Kreu i Akademisë Josip Ćelić. Gjatë këtij takimi, ministri Sveçla u njoftua nga delegacioni pritës i Akademisë për historikun dhe programet e Akademisë si shtylla kryesore e përgatitjes profesionale të pjesëtarëve të Policisë.

Eprorët e të gjithë sektorëve të Akademisë njoftuan ministrin Sveçla për shërbimet, kapacitetet, organizimin dhe programet që zhvillojnë ata e po ashtu edhe për angazhimet që kanë në nivel ndërkombëtar.

Ministri Sveçla njoftoi delegacionin pritës të Akademisë për situatën e sigurisë në Kosovë dhe për angazhimet e institucioneve tona që kanë në mandat sigurinë shtetërore dhe sundimin e rendit dhe ligjit. Me këtë rast, ministri Sveçla shprehu mirënjohjen e tij për Akademinë e Policisë së Kroacisë për mbështetjen, bashkëpunimin, shkëmbimin e përvojave dhe njohurive me Akademinë tonë policore dhe Policinë e Kosovës.

Në shenjë mirënjohje për vizitën, pas takimit të frytshëm të dy delegacioneve, pjesëtarët e Akademisë demostruan para ministrit Sveçla disa nga shkathtësitë e tyre të fituara në atë akademi si dhe prezantuan disa nga kapacitetet e Policisë kroate që shërbejnë për parandalimin dhe luftimin e krimeve të ndryshme.

Pas këtyre aktiviteteve, ministri Sveçla bashkë me ekipin pritës të Akademisë vizituan edhe “Muzeun e Policisë” ku u njoftuan me historikun e krijimit dhe zhvillimit të Policisë kroate.