Në punëtorinë e MPB-së planifikohet agjenda e reformës së administratës publike për vitin 2021

Prishtinë

Me organizimin e Departamentit për Reformën e Administratës Publike dhe Integrimit Evropian (DRAPIE)/Ministria e Punëve të Brendshme është organizuar një punëtori dy-ditore për planifikim dhe diskutim të agjendës së reformës së administratës publike për vitin 2021.

Qëllimi i kësaj punëtorie është konsolidimi i konkluzioneve të përbashkëta në lidhje me sfidat si dhe prioritet kryesore për agjendën e reformës së administratës publike për vitin 2021. Në hapje të punëtorisë Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme z. Lulzim Ejupi, theksoi se reformat në administratën publike mbeten një prioritet kyç i qeverisë, përkundër sfidave të dy viteve të fundit si rezultat i zhvillimeve politike si dhe ndikimin e Covid-19 që kanë penguar procesin vendimmarrës në Qeveri.

Më tutje, z. Ejupi, theksoi se modernizimi i administratës publike është qenësore për të përmirësuar qasjen dhe ofrimin e shërbimeve publike për qytetarët dhe komunitetin e biznesit. Sekretari Ejupi tha se procesi i reformave në administratën publike kërkon një monitorim efektiv si dhe zhvillim të kapaciteteve së sistemit për të pranuar dhe u përgjigjur në inputin e qytetarëve, shoqërisë civile dhe komunitetit të biznesit.  

Drejtoresha e Departamentit të Reformës së Administratës Publike znj. Erna Hasangjekaj theksoi se reforma në administratën publike është jetike për suksesin e procesit të integrimit evropian. Në këtë aspekt znj. Hasangjekaj, deklaroi se po punohet për zhvillimin e  një kornize të re strategjike që përgjigjet në mënyrë efektive në sfidat e administratës shtetërore dhe mbështet zhvillimin e kapaciteteve të nevojshme.

Po ashtu znj, Hasangjekaj sqaroi se gjatë vitit të kaluar, me mbështetjen e SIGMA është zhvilluar një proces i ri-prioritetizimit të masave për modernizimin e administratës publike, dhe është hartuar Plani tranzicional të Veprimit 2020-2021 për Zbatimin e Strategjisë së Modernizimit të Administratës Publike, i cili pritet të aprovohet shumë shpejt nga Qeveria.

Punëtoria është organizuar në kuadër të projektit të MPB-së “Mbështetje për Promovimin dhe Zbatimin e Agjendës së Modernizimit të Administratës Publike (MPZAMAP 2021-2022)” i cili zbatohet nga Konsorciumi CPM/NOVUS. 

Më konkretisht gjatë dy ditëve të punëtorisë, në kuadër të projektit të MPB-së janë trajtuar këto tema:  

-Gjendja e përgjithshme me reformat në administratën publike;

-Plani i Veprimit 2020-2021 për Zbatimin e Strategjisë së Modernizimit të Administratës Publike (2015-2020);

-Zbatimi i Ligjit për Zyrtarët Publik si dhe themelimi e funksionimi i Departamentit të Menaxhimit të Zyrtarëve Publik;

-Zbatimi i Kontratës për Reformën Sektoriale për Reformën e Administratës Publike, si dhe

-Ndikimi i pandemisë Covid-19 në procesin e zbatimit të reformave në administratën publike.  


Skedarët për shkarkim