Ministri Sveçla u takua me përfaqësuesit e Policisë së Iowa

Prishtinë

Ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, priti sot në takim një delegacion nga shteti i Iowa-s, SHBA, me të cilin diskutuan për raportet e shkëlqyera në mes të dy vendeve, me theks të veçantë në fushën e sigurisë

Fillimisht ministri Sveçla,iu uroi mirëseardhje delegacionit të Iowa-s në Kosovë, siç e quajti ai në shtëpinë e tyre të dytë dhe i falënderoi për bashkëpunimin në mes të dy vende, duke vënë në pah se raportet mes qytetarëve të dy vende janë pothuajse vëllazërore.

Gjatë takimit, u vlerësuan marrëdhëniet e ngushta dhe bashkëpunimi i frytshëm ndërmjet Kosovës dhe shtetit të Iowa-s, të cilat kanë filluar vetëm të rriten gjatë viteve të fundit.

Ministri Sveçla theksoi rëndësinë e thellimit të këtyre marrëdhënieve dhe bashkëpunimit në fushën e sigurisë, duke vënë në pah iniciativat e përbashkëta për shkëmbimin e përvojave dhe mbështetjen në ndërtimin e kapaciteteve të institucioneve të rendit në Kosovë.

Delegacioni i Iowa-s, shprehu gatishmërinë për të forcuar më tej lidhjet dhe bashkëpunimin me institucionet e Kosovës, duke nënvizuar rëndësinë e partneritetit në promovimin e stabilitetit dhe të sigurisë.

Ky takim tregon rëndësinë e  avancimit të marrëdhënieve strategjike ndërmjet Kosovës dhe shtetit të Iowa-s në fushën e sigurisë dhe rendit publik, sidomos të aspekteve të rëndësishme, siç janë edhe shkëmbimi i përvojave të institucioneve të sigurisë.