Atashetë doganor nga 4 kontinente dhe 8 shtete, përfaqësues të Organizatës Botërore të Doganave (OBD), po qëndrojnë në Republikën Kosovës, me ç’rast janë pritur nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Blerim Gashani.

Prishtinë
Gjatë këtij takimi zëvendësministri Gashani, i informoi atashetë doganor nga OBD-së, lidhur me mekanizmat e ndërtuar të MIK-ut, në funksion të parandalimit të aktiviteteve të kundërligjshme, ndërtimin e legjislacionit primar, sekondar, Strategjitë Kombëtare, bashkëpunimin rajonal dhe atë global.
Po ashtu zëvendësministri Gashani, i njoftoi atashetë doganor lidhur me  rolin dhe mandatin e MPB-së, autoritetet e përfshira në kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit, detyrat dhe aktivitetet që kryhen, bashkëpunimin me autoritetet e zbatimit të ligjit, si vendore dhe ndërkombëtare, sistemet e vendosura, zbatimin e masave në kufi lidhur me kontrabandimin me migrantë, masave anti-terror, masave anti-korrupsion, shkëmbimin në kohë reale të informatave, inteligjencën dhe hetimet e përbashkëta, shfrytëzimin e bazave të të dhënave ndërmjet autoriteteve dhe mekanizmin që bashkërendon këto aktivitete 24/7 që është QKMK, e cila është e vendosur në objektin e MPB-së, me ç’rast realizuan edhe një vizitë në QKMK. 
Gjatë kësaj vizite, atashetë doganor u ndanë të kënaqur me progresin e arritur nga mekanizmat e Sigurisë të Republikës së Kosovës, duke potencuar rëndësinë e bashkëpunimit që është kusht për bashkërendim efikas dhe efektiv në parandalimin e aktiviteteve të kundërligjshme që ndodhin si në kufi dhe brendi të territorit. Ata konfirmuan përkrahjen e tyre dhe projekteve që mbështeten nga OBD, në zhvillimin e mëtejshëm të mekanizmave të sigurisë në Republikën e Kosovës.