Ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, në vizitë tek familja e zjarrfikësit Sefadin Osmanaj në përvjetorin e parë të rënies së tij në krye të detyrës

Prishtinë
Ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, së bashku me Kryeministrin z. Albin Kurti dhe Drejtorin Ekzekutiv të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, z. Genc Metaj, vizituan sot familjen e zjarrfikësit Sefadin Osmanaj në Vitomiricë të Pejës, në përvjetorin e parë të rënies së tij në krye të detyrës. Pas vizitës, së bashku bënë homazhe pranë varrit dhe përmendores së tij në fshatin Trubuhoc.
Që në moshë të re, Sefadini i shërbeu lirisë së vendit dhe popullit tonë. Ai la jetën në mërgim për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në kohë paqeje, deri në çastet e fundit të jetës, shërbeu me përkushtim në mbrojtje të jetës dhe pronës së qytetarëve tanë
Sefadin Osmanaj do të kujtohet gjithmonë me respekt e mirënjohje të thellë për shërbimin e tij të guximshëm dhe të përkushtuar në krye të detyrës.