Ministria e Punëve të Brendshme lanson fushatën “Festo me zemër, jo me armë”

Prishtinë

Ministria e Punëve të Brendshme ka lansuar sot fushatën ndërgjegjësuese kundër të shtënave festive. Në këtë konferencë morën pjesë, Zëvendësministri i Punëve të Brendshme dhe Kryesuesi i Komisionit për Armë të Vogla dhe të Lehta, z. Blerim Gashani, përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Peter Vallaste, Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP në Kosovë, z. Nuno Queiros, Drejtori i Departamenti të Rendit Publik në Policinë e Kosovës, z. Arbnesh Ajvazi, përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare, përfaqësues të medias, të bashkësive fetare, etj.

 

Në hapje të kësaj fushate, Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Blerim Gashani, vuri në dukje se në aspektin e parandalimit, përveç rolit kryesor të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe agjencive të saj përkatëse, është i domosdoshëm edhe angazhimi i fuqishëm i aktorëve të tjerë institucionalë, shoqërisë civile, mediave dhe vetë qytetarëve. Vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë dhe qasjeve të koordinuara mund të shmangim pasojat e rënda që sjell posedimi i armëve të paligjshme dhe veprimet kriminale.

 

“Misioni ynë, i përkushtimit të përditshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe agjencive të saj, është ndërtuar mbi parimin e bashkëpunimit të ngushtë dhe të pandashëm me qytetarët. Qëllimi ynë është ngritja e vazhdueshme e nivelit të sigurisë në Republikën e Kosovës, duke garantuar jo vetëm rendin dhe qetësinë publike, por edhe përmirësimin e cilësisë së jetës për të gjithë qytetarët tanë”, theksoi zëvendësministri Gashani.

 

Ndër të tjera, Zëvendësministri Gashani theksoi se kjo fushatë synon të parandalojë keqpërdorimin e armëve të zjarrit, të forcojë bashkëpunimin ndërmjet qytetarëve dhe organeve të zbatimit të ligjit, të ndalojë gjuajtjet festive dhe të krijojë një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

 

Në hapje të kësaj fushate folën edhe përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, z. Peter Vallaste, si dhe Drejtori i Departamentit të Rendit Publik të Policisë së Kosovës, z. Arbnesh Ajvazi.

Qëllimi kryesor i kësaj  fushate është ngritja e vetëdijes kolektive,  ndërgjegjësimi lidhur me pasojat nga keqpërdorimi i armëve, rreziqet që sjellin armët e zjarrit për popullatën në përgjithësi, mundësinë e parandalimit të lëndimeve dhe fataliteteve me armë zjarri gjatë ahengjeve dhe ngjarjeve festive.

Kjo fushatë është vazhdimësi e vitit të kaluar, ku Ministria e Punëve të Brendshme ka për synim ngritjen e sigurisë për të gjithë qytetarët e republikës së Kosovës. Bazuar në të dhënat zyrtare, numri i rasteve të raportuara nga ana e qytetarëve në Policinë e Kosovës për përdorim të armëve gjatë ahengjeve familjare, është rritur për 40% më shumë në krahasim me vitin e kaluar.

Fushata vetëdijesuese  “Festo me zemër, jo me armë”, mbështetet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, përmes përkrahjes financiare nga Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Suedia, Holanda dhe Norvegjia, si  dhe mbështetur nga Bashkimi Evropian përmes fondit të mirëbesimit MPTF.