
U vu gurthemeli i Stacionit të Policisë së Kosovës në Zubin Potok
Prishtinë
Ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, i shoqëruar nga ministri i Pushtetit Lokal, z Elbert Krasniqi, zëvendësdrejtori i Përgjegjshëm i Policisë së Kosovës, z. Fehmi Hoti, kryetari i Komunës së Zubin Potokut, z. Izmir Zeqiri, si dhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, z. Veton Elshani, vunë gurthemelin e stacionit të ri të Policisë së Kosovës në Zubin Potok.
Me këtë rast, ministri Sveçla theksoi se ky stacion modern do të ofrojë kushte komode për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, do të ofrojë siguri edhe më të madhe, si dhe do të jetë adresë e raportimit për të gjithë qytetarët pa dallim.
Ministri Sveçla vuri në dukje se për të ofruar siguri më të lartë, duhet t’i shtohet edhe infrastruktura përcjellëse moderne.
“Mbetemi të përkushtuar në ruajtjen e sigurisë së qytetarëve, qetësisë publike, pa dyshim edhe shtrirjen e sovranitetit e integritetit territorial të vendit tonë”, theksoi ministri Sveçla