U certifikuan 315 shërbyes civil në programin: “Zvogëlimi dhe Parandalimi i Barrës Administrative”

Prishtinë

Instituti i Kosovës për Administratë Publike (IKAP), i Ministrisë së Punëve të Brendshme, organizoi ceremoninë solemne të ndarjes së certifikatave për 315 pjesëmarrës të suksesshëm në programin: “Zvogëlimi dhe Parandalimi i Barrës Administrative”.

Në këtë ceremoni morën: pjesë: Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Blerim Gashani, z. Sebastian Leuschner, Këshilltar për Politika dhe Shef i Protokollit në Ambasadën Gjermane, znj. Vanessa Sabelski, Udhëheqëse e projektit të GIZ-it në Kosovë, përfaqësues të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, U.D. Drejtoresha e IKAP-it,  Znj. Lule Isufi si dhe zyrtarë nga institucionet tona.

Me këtë rast, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Blerim Gashani, vuri në dukje se ky program trajnimi është dëshmi e një bashkëpunimi të frytshëm dhe të qëndrueshëm ndërinstitucional mes Institutit të Kosovës për Administratë Publike (IKAP), Zyrës për Planifikim Strategjik të Zyrës së Kryeministrit dhe projektit të mbështetur nga GIZ, me mandat nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe të bashkë-financuar nga Bashkimi Evropian.

“Dua të shpreh falënderimin dhe mirënjohjen time të veçantë për përfaqësuesit ndërkombëtarë që na mbështesin në këtë proces të rëndësishëm reformues: Bashkimin Evropian në Kosovë dhe Qeverinë Gjermane për përkrahjen e dhënë në këtë proces përmes projektit të implementuar nga GIZ, dhe, po ashtu, ekipin e përkushtuar të GIZ-it, që me profesionalizëm dhe përkushtim po kontribuojnë në forcimin e kapaciteteve tona institucionale. Gjithashtu, dua të përgëzoj U.D. Drejtoreshën e IKAP-it, znj. Lule Isufi, për udhëheqjen e këtij procesi me vizion dhe përkushtim”, theksoi në fjalën e tij Zëvendësministri Gashani.

Duke folur për rëndësinë e këtij trajnimi, zëvendësministri Gashani theksoi se trajnimet për zvogëlimin barrës administrative nuk janë vetëm një çështje teknike, por ato janë pjesë thelbësore e përmirësimit të cilësisë së shërbimeve që ne, si administratë publike, u ofrojmë qytetarëve.

“Sa më efikase, më të thjeshta dhe më transparente të jenë procedurat tona, aq më shumë do të rritet besimi i qytetarëve dhe bizneseve në institucionet tona, theksoi Gashani.

Në fund, Zëvendësministri Gashani vuri në pah se angazhimi i përbashkët do të vazhdojë edhe më tej. Ministria e Punëve të Brendshme do të mbështetë dhe përkrahë çdo iniciativë që fuqizon kapacitetet institucionale dhe përmirëson qasjen tonë ndaj qytetarëve, dhe do të jetë gjithmonë partnere aktive në këto procese transformuese.

Programi është zhvilluar dhe finalizuar nga IKAP, në bashkëpunim me Zyrën për Planifikim Strategjik të Zyrës së Kryeministrit dhe projektin “Mbështetje për proceset e reformës së integrimit në BE të Kosovës”, me mandat nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), dhe bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian..

Ky program shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve të administratës publike dhe përmirësimit të efikasitetit në ofrimin e shërbimeve për qytetarët. Në fund për të gjithë pjesëmarrësit në ketë trajnim u shpërndanë certifikata.