Sveçla: “Bashkërisht do të ngrisim AME-në, shërbimet për qytetarë dhe kapacitetet për mbrojtjen e vendit tonë”

Prishtinë

Agjencia e Menaxhimit Emergjent e  Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka filluar sot JAVËN E AME-së, në të cilën do të prezantohen shumë aktivitete lidhur me vetëdijesimin dhe ndërgjegjësimin e publikut për rreziqet nga Fatkeqësive Natyrore dhe Fatkeqësive Tjera.

Në hapje të kësaj jave mori pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, i cili theksoi se teksa sot shënohet Dita Ndërkombëtare të Tokës, po e fillojmë “Javën e AME-së”, një prej agjencive kruciale në Republikën tonë, zyrtarët e së cilës 24 orë janë në mbrojtje të ambientit, pasurive tona natyrore, jetës dhe pronës së qytetarëve tanë. 

Me këtë rast, ministri Sveçla theksoi se Java e Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, e cila po organizohet për herë të parë që nga themelimi i saj, ka për qëllim njoftimin e qytetarëve për mandatin dhe kapacitetet e saja, por edhe të përcjellë edhe mesazhe vetëdijësuese tek ta.

“Me sfidat që çdo vit po sjell ngrohja globale, fokus i përbashkët mbetet fuqizimi i kapaciteteve të AME-së për menaxhim të suksesshëm të çdo situate. Në këtë drejtim, ritheksoj gatishmërinë tonë të plotë për mbështetje në çdo kohë dhe në çdo formë. Vlerësoj shumë aktivitetet e kësaj jave që kanë në fokus komunikimin me qytetarë sepse ata mbeten komponenta kyçe që ju të ballafaqoheni me sa më pak rreziqe të shkaktuara nga faktori njeri, veçanërisht tani kur hyjmë në periudhën e temperaturave të larta dhe zjarret mbeten sfidë reale dhe e përditshme”, theksoi ministri Sveçla.

Ministri Sveçla vuri në dukje se edukimi i masës në parandalimin por edhe në reagimin ndaj fatkeqësive natyrore, por edhe atyre të shkaktuara nga faktori njeri është i domosdoshëm jo vetëm për të njohur punën dhe rreziqet tuaja në detyrë, por edhe në ruajtjen e përbashkët të aseteve.

“Sa i përket Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, si Qeveri dhe si Ministër i Punëve të Brendshme jam angazhuar në reformimin e thellë dhe në fuqizimin e mëtejmë të saj. Me shtetet aleate të Republikës së Kosovës kemi nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim të ndërsjellë në menaxhimin e fatkeqësive natyrore dhe në saje të kësaj marrëveshje, një delegacion i prirë nga Drejtori z. Metaj ishin pjesë e trajnimit të përbashkët me forcat e Republikës së Shqipërisë për reagim në rastet e vërshimeve”, theksoi ndër të tjera në fjalimin e tij ministri Sveçla.

Duke folur për të arriturat e MPB-së, ministri Sveçla theksoi se muajin e kaluar, 51 pjesëtarë të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit i janë bashkuar Agjencisë si vlerë dhe mbështetje e shtuar e ekipeve aktuale që shërbejnë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, ndërsa buzë Liqenit të Ujmanit është krijuar infrastrukturën për Njësitë e Kërkim Shpëtimit të AME-së, Policisë së Kosovës, Shoqatave Profesionale të Kërkim Shpëtimit dhe pse jo edhe për trajnimin e të rinjve tanë të interesuar.

Në këtë ceremoni foli edhe drejtori Ekzekutiv i AME-së, z. Genc Metaj, i cili theksoi se do të vazhdojnë reformat që janë duke u bërë në këtë agjenci dhe bashkë me ekipet profesionale po punohet edhe në avancimin e dokumenteve strategjike që do të kontribuojnë në zgjerimin dhe forcimin e kapaciteteve.

Në kuadër të kësaj jave, që po mbahet për herë të parë do të zhvillohet një sërë aktivitetesh, ekspozim të pajisjeve të zjarrfikëseve, do të bëhet dhurimi vullnetar i gjakut nga zjarrfikësit, si dhe shumë aktivitete tjera.