MPB dhe Policia e Kosovës mbajti ligjëratë me nxënësit e SHFMU “ Naim Frashri” në Prishtinë

Prishtinë

Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe me mbështetjen e UNDP-së, në kuadër të fushatës “Festo me Zemër, jo me armë”, ka mbajtur sot një ligjëratë me nxënësit e SHFMU “ Naim Frashri” në Prishtinë.

Në kuadër të kësaj ligjërate, zyrtarët e MPB-së dhe Policisë së Kosovës diskutuan me nxënësit për rëndësinë e sensibilizimit të fëmijëve dhe të rinjve për rrezikun e përdorimit të armëve dhe pasojat e dhunës që vijnë nga përdorimi i armëve.

Gjatë kësaj ligjërate nxënësve iu shpjeguan rreziqet dhe pasojat që sjellin armët, sidomos në aspektin personal të secilit nxënës, dhe me qëllim rritjen e numrit të raportimeve të rasteve dhe po ashtu për rëndësinë e respektimit të ligjit.

Qëllimi i përfshirjes së nxënësve në këtë fushatë është që jenë aktiv në promovimin e një shoqërie paqësore dhe të sigurt. Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës kërkojnë po ashtu edhe angazhimin e prindërve, mësuesve dhe komunitetit për t’u siguruar që fëmijët të rriten në një mjedis pa dhunë, ku do të respektohen vlerat  dhe paqja.

Vazhdimi i ligjëratave në shkolla fillore dhe të mesme, është në vijimësi të fushatës “Festo me Zemër, jo me armë”, e cila do të jetë aktive gjatë gjithë vitit, si një target i rëndësishëm, pasi nxënësit mund të jetë të pranishëm në shumë audienca, ku ka prani ose përdorim të armëve të zjarrit.