Ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, mori pjesë në Konferencën “Qëndrueshmëria Kombëtare: Sfidat dhe Rruga Përpara”, të organizuar nga Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës

Prishtinë

Në vijim gjeni fjalimin e plotë të ministrit Sveçla;

 

Të nderuar bashkëpanelistë,

Të nderuar të pranishëm,

Jam i nderuar të jem sot pjesë e këtij paneli në një diskutim që prek çështjet esenciale të përditshmërisë sonë në raport me gatishmërinë për t’iu përgjigjur zhvillimeve të fundit, sfidave dhe aftësisë për t’i përballuar dhe tejkaluar rreziqet potenciale.

Bota sot, karakterizohet nga ndryshime të shpejta dhe sfida të paparashikuara, qofshin ato sulmet terroriste, fatkeqësitë natyrore, pandemitë, sulmet kibernetike apo konfliktet gjeopolitike andaj aftësia jonë për t’u përshtatur dhe për t’u rimëkëmbur nuk është thjesht një aspiratë, por një domosdoshmëri absolute.

Ministria e Punëve të Brendshme të cilën unë e udhëheq bashkë me agjencitë e saja, luan një rol kyç në ofrimin e sigurisë së përgjithshme, duke përfshirë këtu edhe menaxhimin e emergjencave, sigurinë kibernetike dhe infrastrukturën kritike.

Është e qartë që qëndrueshmëria është një përpjekje kolektive sepse është forca e një shoqërie për të përballuar fatkeqësitë dhe për tu rimëkëmbur me shpejtësi. E kjo, fillon me infrastrukturëdhe sisteme të qëndrueshme si dhe komunitet të ndërgjegjësuar dhe të përgatitur për të reaguar në emergjenca.

Kemi qenë dëshmitarë në sfidat e fundit me të cilat jemi përballur, që nga akte e sulme terroriste që kanë kulmuar me sulmin në Banjskë, ku mbeti i vrarë Rreshteri Afrim Bunjaku, sulmi mbi infrastrukturën kritike në kanalin e “Ibër Lepencit” dhe përmasat e pasojave që kanë mundur të shkaktohen, sulmet e vazhdueshme kibernetike, sfidat nga fatkeqësitë natyrore si vërshimet dhe zjarret madje jo larg është edhe periudha e pandemisë, që ka qenë sfidë globale.

Gatishmëria civile, qëndrueshmëria kibernetike dhe mbrojtja e infrastrukturës kritike janë në thelb aftësia jonë që:

-Të ruhet siguria ushqimore, ujore, rrjetet e energjisë, shërbimet publike dhe mbi të gjitha jeta dhe prona e qytetarit;

-Janë aftësia për të mirëmbajtur sistemet e teknologjisë së

informacionit, të parandalohen sulmet kibernetike dhe të sigurohet vazhdimësia e ofrimit të shërbimeve esenciale.

Natyrisht që Qeveria dhe Ministria e Punëve të Brendshme ka pasur prioritet përmirësimin e qëndrueshmërisë kibernetike, mbrojtjes së infrastrukturës kritike dhe gatishmërinë për t’u përballur me emergjencat si hapat themelorë drejt sigurisë dhe mirëqenies kombëtare.

Për mbrojtjen e infrastrukturës kritike, pavarësisht se Kosova ka qenë ndër vendet e para në Ballkanin Perëndimor me ligj të posaçëm për infrastrukturën kritike, gjatë vitit 2024, Ministria e

Punëve të Brendshme ka hartuar projekt-ligjin e ri i cili është miratuar nga Qeveria. Bazuar në zhvillimet e fundit në BE sa i përket mbrojtjes së infrastrukturës kritike, projektligjit i ri ka në fokus sigurimin e qëndrueshmërisë, e cila në vetvete përfshin edhe mbrojtjen, parandalimin dhe vazhdimësinë e punës.

Sa i përket rezistencë kibernetike, për herë të parë është hartuar dhe miratuar Ligji për Sigurinë Kibernetike, përmes të cilit edhe themelohet Agjencia për sigurinë Kibernetike në kuadër të

Ministrisë së Punëve të Brendshme, obligohen operatorët e shërbimeve esenciale dhe ofruesit e shërbimeve digjitale të zbatojnë masat e sigurisë, të raportojnë incidentet dhe të bashkëpunojnë e po ashtu përcaktohen përgjegjësitë e bautoriteteve të sigurisë kibernetike.

Ngjashëm është miratuar edhe Strategjia për Sigurinë Kibernetike me objektiva të qarta për forcim të kuadrit ligjor dhe atij institucional, nxitje të partneriteteve të fuqishme publiko-

private, angazhim aktiv në bashkëpunim ndërkombëtar dhe kultivim të një kulture të sigurisë kibernetike – pra, krijimin e një

mjedisi të sigurt online për qytetarët, bizneset dhe institucionet. Edhe sa i përket gatishmërisë civile si qëndrueshmëri kombëtare, përfshihen një gamë e veprimeve të ndërmarra që nga rishikimi i Planit të Reagimit Kombëtar, Strategjia për mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore, miratimi i Ligjit për Mbrojtjen nga Zjarri, edukimi i qytetarëve mbi rreziqet e mundshme dhe mënyrat e reagimit ndaj tyre dhe koordinimi institucional për reagim të shpejt përmes Sistemit të Integruar të Menaxhimit të Emergjencave.

Të nderuar të pranishëm,

rritja e qëndrueshmërisë kibernetike, mbrojtja e infrastrukturës kritike dhe menaxhimi i emergjencave, janë procese komplekse dhe të vazhdueshme që kërkojnë përpjekje të bashkuar nga të gjithë ne.

Duke u fokusuar në role të qarta institucionale, menaxhim proaktiv të rrezikut, partneritete të forta publike-private dhe trajnim të vazhdueshëm, ne mund të forcojmë infrastrukturën dhe rrjetet e sistemet tona kundër kërcënimeve të drejtpërdrejta dhe atyre kibernetike dhe të sigurojmë një të ardhme digjitale më të sigurt, qëndrueshmëri të infrastrukturës dhe mirëqenie për qytetarët tanë.

 

Ju falënderoj për vëmendjen tuaj!