Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla mori pjesë në konferencën “Roli i Institucioneve të Sigurisë në Monitorimin e Dhunës me Bazë Gjinore dhe Angazhimi në Parandalimin e Kësaj Dukurie” organizuar nga Inspektorati Policor i Kosovës
Prishtinë
Me ftesë të Kryeshefit të Inspektoratit Policor të Kosovës z. Kushtrim Hodaj, në kuadër të fushatës globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”, Ministri Sveçla mori pjesë në konferencën që trajtoi temën e rolit të institucioneve të sigurisë në monitorimin e dhunës me bazë gjinore dhe angazhimin në parandalimin e kësaj dukurie.
Para bashkë panelistëve z. Agron Qalaj, Zëvëndës Kryeprokuror i Shtetit, znj. Kimberly Riffe përfaqësuese nga Ambasada Amerikane në Kosovë, përfaqësuesve të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve të organizatave tona partnere, Ministri Sveçla në fjalën e tij theksoi rëndësinë e angazhimit maksimal të të gjithë mekanizmave shtetëror në mënyrë që dukuria e dhunës në familje të adresohet me efikasitetin më të lartë. Në adresimin e tij, Ministri Sveçla njoftoi mbi angazhimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës në trajtimin e rasteve të dhunës në familje duke përfshirë ngritjen e Drejtorisë për Parandalimin dhe Hetimin e Dhunës në Familje në kuadër të Policisë së Kosovës, investimet në “dhomat miqësore” për viktimat e dhunës në familje, rritjen e inspektimeve të Inspektoratit Policor të Kosovës për të siguruar trajtimin e duhur të rasteve të dhunës në familje dhe investimin në projektin e hallkave elektronike që do të mundësojë monitorimin e viktimave të dhunës dhe dhunuesve dhe reagimin e shpejtë e efikas të Policisë së Kosovës në rast të mos zbatimit të urdhërave përkatës.
Duke njohur faktin që fenomeni i dhunës në familje kërkon qasje multidisiplinare, konferenca e sotme ishte një mundësi e mirë që të gjithë pjesëmarrësit, vendor dhe ndërkombëtar të kontribuojnë sipas përgjegjësive të tyre institucionale por edhe fushave të tyre profesionale.
Në përmbylljen e fjalës së tij, Ministri Sveçla shprehu zotimin se kjo dukuri do të trajtohet me të gjitha kapacitetet tona në hetim, zbulim, parandalim dhe në trajtim sa më të drejtë dhe të përqendruar tek viktimat e dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore.