Në ARC u mbajt takimi me përfaqësuesit e gjendjes civile për të ofruar asistencë në zbatimin e Vendimit të Ministrit të MPB-së, Nr. 0616.

Prishtinë

Në Agjencinë për Regjistrim Civil të Ministrisë së Punëve të Brendshme, është mbajtur takimi me përfaqësuesit komunal të gjendjes civile, për tu njoftuar në mënyrë më të detajuar për implementimin e Vendimit të Ministrit të Punëve të Brendshme, Nr. 0616, dt. 29.11.2024, i cili e rregullon regjistrimin e fakteve të gjendjes civile (lindje, martesë dhe vdekje), për qytetarët që janë regjistruar në strukturat jo-legale dhe paralele serbe.

Drejtori i Përgjithshëm i ARC-së, z. Blerim Camaj, me këtë rast falënderoi zyrtarët e gjendjes civile për gatishmërinë në zbatimin e këtij vendimi, duke theksuar se përgjegjësit brenda ARC-së, do të jenë në dispozicion të qytetarëve për të dhënë shpjegimet e posaçme sa herë që kanë nevojë.

Po ashtu në këtë takim, me qëllim të bashkërendimit të aktiviteteve në mes të nivelit qendror dhe lokal, janë njoftuar të gjitha Komunat me aktivitetet që janë planifikuar të realizohen, përgjatë kësaj periudhe përgatitore, ku u është ofruar përkrahje e plotë për nivelin lokal, si në aspektin ligjor ashtu edhe teknik.