Arrihet marrëveshje e njohjes së ndërsjellë të patentshoferëve mes Republikës së Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe

Prishtinë

Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës z.Xhelal Sveçla, po qëndron  në një vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe,  ku u prit në takim nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Brendshëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Lartësia e Tij, Sheikh Saif bin Zayed Al Nahyan.

Ky takim shënoi arritjen e marrëveshjes së njohjes së ndërsjellë të patentshoferëve mes Republikës së Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, marrëveshje kjo e cila do të lehtësojë punën dhe angazhimin e qytetarëve tanë në shtetet përkatëse.

Gjatë takimit, u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit në fusha të tjera që mbulojnë ministritë e të dyja vendeve,  me theks të veçantë në rritjen e bashkëpunimit në fushat e sigurisë dhe menaxhimit të emergjencave.

Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës z. Sveçla, falënderoi Lartësinë e Tij Sheikh Saif bin Zayed Al Nahyan për mbështetje të vazhdueshme dhe gatishmërinë për të forcuar marrëdhëniet mes dy shteteve.

Ministri z. Sveçla, shprehu gjithashtu falënderimet për ekipet punuese të dyja shteteve, të cilat me përkushtim arritën të finalizojnë dhe nënshkruan këtë marrëveshje të rëndësishme, e cila shënon një hap të madh përpara në forcimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale.

 

 


Skedarët për shkarkim