Sveçla: “Qofshi shembulli më i mirë i fëmijëve që ëndërrojnë uniformën tuaj dhe së bashku qofshim shtylla e fortë për të ardhmen e tyre të sigurtë e prosperuese”

Prishtinë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në ceremoninë e  25-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, ka thënë se pas sakrificash të gjata e të mundimshme të popullit për liri, 25 vjet më parë erdhi dita që të themelohej edhe Shërbimi Policor i Kosovës, që ishte i domosdoshëm për kohën dhe vendin.


Më poshtë keni fjalimin e plotë të ministri Sveçla;


E nderuar Presidente znj. Vjosa Osmani Sadriu,

I nderuar Kryeministër z. Albin Kurti,

I nderuar Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës z. Gazmend Hoxha,

Të dashur familjarë të policëve të rënë në krye të detyrës,

I dashur baca Rifat,

Të nderuar krerë të institucioneve të Republikës së Kosovës: Zëvendës Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës Enver Cikaqi, Drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë z. Petrit Ajeti, Ushtrues i Detyrës së Kryeprokurorit z. Besim Kelmendi, Drejtor i Doganave të Kosovës z. Agron Llugaliu,

Të respektuar përfaqësues të misioneve diplomatike dhe ndërkombëtare në Kosovë,

I nderuar Shef i misionit të Eulex z. Barbano,

Të nderuar musafirë special që sot jeni këtu, i nderuar z. Bennett, të nderuar përfaqësues të institucioneve të sigurisë nga Shqipëria, Austria, Italia, Jordania, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mali i Zi e Republika e Maqedonisë së Veriut

Të nderuar kolegë nga Kabineti qeveritar, deputetë, menaxhment i lartë i Policisë së Kosovës,

Të dashur pjesëtarë të të gjitha njësive të Policisë së Kosovës,

Të nderuar të pranishëm,

Jam shumë i lumtur e i nderuar që ndodhem sot këtu mes jush, në këtë ditë të veçantë për Policinë e Kosovës dhe për mbarë Republikën tonë.

25 vite më parë, kur pas sakrificash të gjata e të mundimshme të popullit tonë për liri nga okupatori serb erdhi liria që kulmoi me fitoren e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe aleatëve tanë, themelimi i Shërbimit Policor të Kosovës ishte domosdoshmëria e kohës dhe e vendit. Ashtu siç falë forcave tona e mbështetjes së aleatëve tanë të përhershëm populli ynë i vuajtur e përjetoi lirinë, ka themelet e saj edhe Policia jonë.

Për më shumë se tri vite që drejtoj Ministrinë e Punëve të Brendshme, në kuadër të bashkëpunimit tim të ngushtë me pjesëtarët e Policisë, kam pasur rastin të dëgjoj nga pjesëtarët e gjeneratave të para rrëfimet për sfidat dhe vështirësitë e fillimit por mbi të gjitha për entuziazmin dhe vullnetin e hekurt për të shërbyer për qytetarët e për vendin tonë.

Bashkëpunimi i ngushtë dhe shkëmbimi i përvojave me pjesëtarët e misioneve ndërkombëtare që ndihmuan në fillet e para Policinë tonë ashtu si edhe përkushtimi i vazhdueshëm i policëve tanë kanë bërë që sot Policia e Kosovës të jetë institucioni më i besueshëm për qytetarët tanë, e ngritur profesionalisht, e trajnuar mirë dhe e gatshme që t’i përgjigjet çdo rreziku që cënon sigurinë e vendit tonë.

Dy vite pas themelimit të saj, në përpjekjet e pareshtura për avansim e në shërbim të çdo qytetari të vendit tonë, Policia u ballafaqua me humbjen e pjesëtarit të parë të saj në krye të detyrës. Me 11 shtator 2001, tashmë Heroi Lazim Rexhepi do të vritej nga një grup plaçkitësish të maskuar duke u bërë Heroi i parë që bie në krye të detyrës.

23 vite më vonë nga ky rast e 25 vite nga themelimi i Policisë së Kosovës, vendi ynë shënon në historinë e tij 23 pjesëtarë Policorë të rënë në krye të detyrës.

Sot kur në sallë përveç familjarëve kemi edhe shumë prej kolegëve të heronjve të rënë në krye të detyrës, shpreh admirimin tim për ta, për qëndresën e tyre e për vazhdimin në shërbim përkundër këtyre sfidave aspak të harrueshme.

23 heronjtë tanë janë pjesa më e lavdishme e Policisë dhe Republikës së Kosovës. Nga Hero Lazim Rexhepi deri tek Heroi Afrim Bunjaku, dëshmuan se mbrojnë betimin e dhënë, mbrojnë jetën e pronën e qytetarëve tanë, integritetin e sovranitetin territorial të Republikës sonë me sakrifica të përditshme, me vullnet e përkushtim e qoftë edhe me jetë.

Të nderuar të pranishëm,

Në këtë 25 vjetor festojmë bashkë, ndajmë sukseset e përbashkëta ashtu si edhe reflektojmë për mundësitë e avansimit të Policisë sonë si garancë e sigurisë për qytetarët tanë dhe Republikën tonë.

Në pothuajse 4 vite të mandatit tonë, Policia ka shënuar rezultate të prekshme si në goditjen e grupeve kriminale, rrjeteve e laboratorëve të drogës, terrorizmit, kontrabandës e korrupsionit e mbi të gjitha e më e rëndësishmja, ka mbrojtur me çdo çmim integritetin tonë territorial dhe shtrirjen e sovranitetit veçanërisht në veriun e vendit tonë.

Ajo zonë e vendit tonë, ku jeta e zyrtarëve tanë policor, pjesëtarëve të misioneve KFOR e Eulex, gazetarëve por edhe qytetarëve është rrezikuar shpesh herë nga grupet kriminale e terroriste të dirigjuara nga Serbia, po i kthehet çdo ditë e më shumë normalitetit të munguar prej një çerek shekulli.

Këtë muaj bëhen 1 vit nga sulmi terrorist i Serbisë në Banjskë të Zveçanit ku në pritën e organizuar nga një grup terroristësh, me minë kundër këmbësorisë u vra Rreshteri Afrim Bunjaku. Ky sulm terrorist shpërfaqi aspiratat e vazhdueshme të Serbisë ndaj territorit tonë dhe parandaloi realizimin e skenarit të saj për aneksimin e veriut të vendit tonë. Drejtësia për Afrim Bunjakun dhe llogaridhënia e Serbisë për organizimin e këtij sulmi janë të domosdoshme.

Hero Afrim Bunjaku u kthye në motivin për rezistencë për të gjithë kolegët e tij atë ditë por edhe çdo ditë pas saj. Policia jonë atë ditë dëshmoi profesionalizëm të pashoq si në mbrojtjen e civilëve të pafajshëm ashtu edhe në reagimin proporcional karshi terroristëve të uniformuar. U jam mirënjohës secilit sepse bashkërisht arritëm të shpërfaqim e kthejmë prapa përpjekjen e Serbisë për të marrë pjesë të territorit tonë.

Këtë 25 vjetor, që e shënojmë nën sloganin 25 Vjet Shërbim me nder e dinjitet, ritheksoj mbështetjen time dhe të gjithë Qeverisë për avancimin e mëtutjeshëm të Policisë sonë, që çdo polic, me kapacitete të plota, me nder e me dinjitet të shërbejë për qytetarët tanë e Republikën tonë. Shpreh mirënjohje për të gjithë partnerët tanë që për këto 25 vite, në forma të ndryshme kanë kontribuar që policia jonë sot të jetë në nivel të lartë të detyrës.

Për fatin e mirë të vendit tonë, në historinë e saj policia shënon plot 60 gjenerata me zyrtarë policorë që shumë prej tyre nga të parat janë ende në shërbim, e më vjen keq që sot, nuk mund të takojmë secilin polic e police individualisht që të shprehim mirënjohjen tonë për shërbimin e tyre.

Ju uroj të gjithëve policëve kudo që janë këtë datë të shënuar. Uroj të keni shëndet e vullnet në detyrë. Qofshi shembulli më i mirë i fëmijëve që ëndërrojnë uniformën tuaj dhe së bashku qofshim shtylla e fortë për të ardhmen e tyre të sigurtë e prosperuese.