Ministri Sveçla u takua në Shkup me ministrin e Brendshëm, Panche Toshkovski

Prishtinë

Me ftesë të Ministrit të Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, z Panche Toshkovski, ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, z. Xhelal Sveçla, ka qëndruar për  vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Në këtë takim, përveç dy ministrave të Punëve të Brendshme, morën pjesë edhe Drejtorët e policive të dy shteteve, si dhe zëvendësministri z. Astrit Iseni, të cilët biseduan për situatën e sigurisë, sigurinë e kufijve, migrimin e paligjshëm dhe luftën ndaj krimit të organizuar.

Të dy ministrat gjatë këtij takimi kanë konstatuar se fenomenet negative që kanë karakterizuar brezin kufitar me Republikën e Maqedonisë së Veriut janë në trend të rënies, falë bashkëpunimit të ngushtë policor, teksa janë shënuar rezultate të dukshme edhe në luftën e përbashkët ndaj krimit të organizuar.

Gjatë takimit u bisedua edhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në kuadër të dy Ministrive të Punëve të Brendshme dhe për këtë të dy delegacionet kishim pajtueshmëri.

Po ashtu u vlerësua se bashkëpunimi rajonal mbetet krucial, si garancë e luftimit të suksesshëm të çdo ilegaliteti që cenon sigurinë e të dy vendeve dhe rajonit në përgjithësi.