Zëvendësministri Dobra ka pritur në takim ish-zyrtarin e lartë të Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Slater

Prishtinë

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Bardhyl Dobra, ka pritur në takim, z. Jonathan Slater, i cili në karrierën e tij, ka mbajtur pozita të larta vendimmarrëse në Mbretërinë e Bashkuar.

Jonathan Slater ka qenë Drejtor i njësisë për ofrim të shërbimeve në zyrën e Kryeministrit Tony Blair, sikurse edhe Sekretar i përhershëm i Ministrisë së Arsimit, Drejtor i Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Drejtësisë.

Në këtë takim zëvendësministri Dobra dhe z. Slater, diskutuan mbi praktikat më të mira për reformat në Administratë Publike dhe shkëmbyen ide konkrete se si ofrimi i shërbimeve për qytetarët dhe bizneset mund të përmirësohet në cilësi dhe shpejtësi.

Të dy bashkëbiseduesit ndanë mendimin e njëjtë se një ndryshim i tillë cilësor është i mundshëm dhe arrihet me një shërbim civil profesional dhe efikas. Në këtë aspekt, zëvendësministri  Dobra e informoi z. Slater se reforma rrënjësore në administratë publike është në zbatim e sipër dhe rezultatet veçse kanë filluar të shihen.

Zëvendësministri Dobra, falënderoi Britaninë e Madhe për përkrahjen e deritanishme dhe theksoi se bashkëpunimi me partnerët tanë është i domosdoshëm, në mënyrë që reformat të zbatohen në tërësi dhe jeta e qytetarëve tanë të përmirësohet.