Ministri Veliu vizitoi u.d. Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, z. Samedin Mehmeti
Prishtinë
Pas incidentit të grabitjes së armatosur në tentativë në Veternik të Prishtinës, dhe plagosjes me armë zjarri të një zyrtari policor gjatë ballafaqimit me kryerësit e kësaj vepre, ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Agim Veliu, realizoi një vizitë tek u.d. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Samedin Mehmeti.
Ministri Veliu me rastin e vizitës shprehu shqetësimin e tij lidhur me plagosjen e zyrtarit policor, dënoi ashpër sulmin ndaj zyrtarëve policor dhe potencoi gatishmërinë për përkrahje dhe mbështetje të pa rezervë nga MPB, Policisë së Kosovës.
Ministri gjithashtu dëshiroi shërim sa më të shpejt për zyrtarin e plagosur dhe mos përsëritjen e rasteve të tilla. “I dëshiroj shërim sa më të shpejtë zyrtarit të plagosur dhe uroj që rastet e tilla të mos përsëriten më”, tha ministri Veliu.
Me këtë rast, drejtori Mehmeti e informoi ministrin Veliu për gjendjen shëndetësore të zyrtarit policor të plagosur dhe e vlerësoi lart mbështetjen e ministrit në këto momente.