Ka filluar punimet Konferenca e parë ndërkombëtare KosovaPAR2023
Prishtinë
Me organizim të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në Prishtinë po mbahet konferenca e parë ndërkombëtare KosovaPAR2023 me temë: "Reformat në administratën publike për një qeverisje fleksibile dhe të qëndrueshme".
Në këtë konferencë po marrin pjesë përfaqësues nga niveli lartë shtetëror, komuniteti diplomatik, akademikë, zyrtarë publikë, shoqëri civile, studentë dhe përfaqësues shtetëror nga rajoni dhe më gjerë.
Hapja e konferencës u bë nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Abin Kurti, ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, Ambasadori i Gjermanisë, z. Jörn Rohde dhe nga Prof. Dr. Wolfgang Drechsler nga University College London/ Harvard University/Tallinn Technology University).
Kryeministri Kurti, theksoi se këto konferenca janë të rëndësishme sepse bëjnë bashkë akademikë, zyrtarë publikë nga vendi dhe bota për të debatuar, për të shkëmbyer si ide ashtu edhe përvoja rreth praktikave më të mira të reformimit të administratës publike.
‘’Reforma e administratës publike, dua të theksoj se është prioritet i Qeverisë sonë. Praktika e shteteve të tjera në Evropë ka dëshmuar se një administratë publike efikase, moderne, transparente dhe llogaridhënëse është çelësi i të gjitha reformave të tjera. Pra, reforma e administratës publike nuk është si çfarëdo reforme tjetër, për shkak se ajo është reforma që mundëson reformat e tjera’’ u shpreh kryeministri.
Përveç funksionimit të mirë të institucioneve, kryeministri veçoi se reforma e Administratës Publike gjithashtu sjell përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë, rritjen ekonomike, drejtësinë dhe punësimin, e rrjedhimisht edhe integrimin evropian e euro-atlantik, duke theksuar prioritet e Qeverisë së Kosovës që këto reforma të bëhen realitet.
Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme theksoi se kjo konferencë ndërkombëtare, që është e para e këtij lloji që organizohet në Kosovë, tregon se synimi ynë për një administratë shtetërore moderne dhe efikase, nuk ishte vetëm një premtim.
“Kemi filluar procesin për një administratë profesionale dhe të depolitizuar që funksionon mbi parimet e meritokracisë, transparencës, llogaridhënies dhe efikasitetit, e që shpërblehet mbi bazën e një sistemi pagash të unifikuar, të ligjshëm, transparent, të drejtë dhe të barabartë”, theksoi ministri Sveçla në fillim të fjalimit të tij.
Duke folur për aspektin gjinor, ministri Sceçla theksoi se përveç cilësisë së shërbimeve publike, jemi të vendosur që të përmirësojmë vazhdimisht edhe situatën sa i përket çështjes së barazisë gjinore, sidomos kur bëhet fjalë për pozita drejtuese ku kemi numër shumë më të vogël të grave si dhe përfshirjen e të gjitha komuniteteve, e në veçanti personave me aftësi të kufizuar.
“Administrata publike në Kosovë, ka edhe një mision shtesë, shumë të rëndësishëm, për të cilin po punojmë fort, e që është mbështetja e proceseve të rëndësishme drejt anëtarësimit tonë në Bashkimin Evropian, theksoi ministri Sveçla.
Në konferencë, ministri Sveçla vuri në dukje se në këtë proces reformimi kemi edhe shumë sfida, kemi vendosur që Institutin Kosovar për Administratë Publike ta transformojmë në Shkollën Kombëtare të Administratës së Kosovës, e cila do të mbështesë institucionet në ngritjen e kapaciteteve njerëzore.
Në fund ministri Sveçla shprehi mirënjohje për të gjithë ata zyrtarë të administratës, që e kanë kuptuar rëndësinë e punës dhe përkushtimit të tyre që kanë në jetën e secilin prej nesh, që e kanë kuptuar se janë një pjesë e rëndësishme për të mbajtur drejt shtetin tonë.
“Me punën tonë jemi duke u angazhuar që qytetarëve tanë t’ua lehtësojmë jetën dhe punën, duke ofruar shërbime publike cilësore pa dallim. Këtë po e bëjmë duke i motivuar e trajnuar punonjësit aktualë dhe duke sjellë energji të reja. Këtë do ta bëjmë me punonjës që të ndjejnë kënaqësi duke i shërbyer qytetarit”, theksoi ndër të tjera ministri Sveçla.
Në hapje të ceremonisë me një fjalë rasti të pranishmeve iu drejtua edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, z. Jörn Rohde dhe nga Prof. Dr. Wolfgang Drechsler.
Gjatë sesionit të paradites janë mbajtur edhe tri panele të ndryshme, “Korrupsioni, Etika dhe Kultura në Administratën Publike”, panel i udhëhequr nga shefja e kabinet të ministrit, znj. Jeta Tela, “Rinovimi i shërbimit publik dhe Administrimi: Një Menaxhimi Perspektive”, e udhëhequr nga Prof. Dr. Jean-Pierre Neveu dhe “Rinovimi i shërbimit publik dhe Formimi i qeverisjes efektive: Avancimi Strategjik, Planifikimi Sistemet në Administratën Publike: Një Menaxhimi Prespektive”, e udhëhequr nga znj. Vera Rexhepi-Leci.
Gjatë seancës së pasdites është mbajtur po ashtu një panel tjetër i rëndësishëm, ku është diskutuar për: “Reformën e administratës publike, dixhitalizimi dhe Siguria kibernetike”. Në këtë diskutim morën pjesë: ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, Znj. Elisa Spiropali, Ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin e Republikës së Shqipërisë, znj. Alketa Peci, Fundacao Getulio Vargas, Komiteti i Ekspertëve të Administratës Publike të Kombeve të Bashkuara, Brazil/Shqipëri dhe znj, Liza Gashi, zëvendësministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Konferenca KosovaPAR2023, përmes 15 paneleve dhe 5 sesioneve kryesore, përgjatë dy ditëve, do t'i kushtohet eksplorimit të mëtejmë të vetë konceptit të reformimit të administratës publike, trendeve dhe qasjeve më të mira rajonale dhe globale në mënyrë që të hapet rruga për reforma më praktike dhe të aplikuara në kontekste të ndryshme. Kjo konferencë, njëkohësisht, do të promovojë edhe më tutje idenë se dialogu dhe shkëmbimi i praktikave më të mira është një mënyrë për të për të kontribuar në përmirësimin e administratës publike dhe qeverisjes në mbarë botën.
Konferenca do të vijoj sot gjatë ditës dhe pritet të vazhdojë punimet edhe nesër.