
Zëvendësministri Dobra mori pjesë në Sarajevë në Dialogun e nivelit të lartë politik
Prishtinë
Në emrin e Qeverisë së Kosovës dhe në prani të ministrave homolog të rajonit, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Bardhyl Dobra mori pjesë në Sarajevë në Dialogun e nivelit të lartë politik të titulluar: “Një shërbim civil tërheqës dhe professional i përshtatur për të ardhmen”, konferencë e organizuar nga Shkolla rajonale e Administratës publike (ReSPA).
Gjatë ndërhyrjes së tij në panelin ministror “Si mund ta fitojmë garën e talenteve? zëvendësministri paraqiti të arriturat dhe qëllimet kryesore të reformës së administratës publike përmes mundësive që ofrojnë Ligji për zyrtarët publikë (hapja e rekrutimeve, rekrutime transparente përmes digjitalizimit, menaxhimi i karrierave, promovimi i profileve të rinisë, të grave dhe të diasporës, mobiliteti i shërbyesve civil në mënyrë horizontale dhe vertikale, metodat moderne të vlerësimit të performancës, etj.), si edhe për Ligjin për pagat (klasifikimi transparent i pozitave dhe ulje e keqpërdorimeve me shkallët e pagave, krijimi i kategorive të veçanta, shtesa në lidhje me performancën ose me profesione me nevoja të tendosura në treg, etj.).
Gjithashtu zëvendësministri Dobra pati rastin për të paraqitur ambiciet dhe procesin e nisur për shndërrimin e Institutit të Kosovës për Administratën Publike në një Shkollë Kombëtare të Administratës Publike, ndërsa një theks i veçantë u vu edhe në rëndësinë e kooperimit ndërkombëtar me prurjen e përvojave dhe të praktikave më të mira nga Evropa dhe bota.
Si përfundim, Qeveria mbetet vendosmërisht e orientuar drejt një refome të thellë për një administratë publike moderne që adreson sfidat dhe kërkesat e kohës. Në vazhdim, të pranishmit u ftuan të marrin pjesë në Konferencën e parë ndërkombëtare për administratë publike #KosovaPAR2023 që do të mbrohet në Universitetin e Prishtinës më 22 dhe 23 nëntor.