U mbajt Takimi i 10-të Vendor Koordinues i Udhërrëfyesit për AVL

Prishtinë

Ministria e Punëve të Brendshme mbajti Takimin e 10-të Vendor Koordinues të Udhërrëfyesit, i cili është udhëhequr nga z. Blerim Gashani, Koordinator Nacional për Kontrollin e Armëve të Vogla, të Lehta dhe Eksplozivëve.

Me këtë rast, Zëvendësministri Gashani falënderoi Komisionin Shtetëror për Armë të Vogla dhe të Lehta, si dhe përfaqësuesit e SEESAC dhe UNDP, për angazhimin e tyre në këtë periudhë raportuese.

Zëvendësministri Gashani theksoi se gjatë kësaj periudhe, institucionet e vendit kanë arritur rezultate të prekshme, duke zhvilluar një sërë operacionesh, ku janë konfiskuar në numër i madh i armëve dhe, po ashtu, është punuar shumë në parandalim dhe vetëdijesim.

Ai tha se vendi ynë vazhdon të zbatojë me përpikëri Udhërrëfyesin Rajonal dhe theksoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës në uljen e numrit të përdorimit dhe të kontrabandimit të armëve dhe municionit.

Gjatë takimit dy-ditor që është mbajtur në Prishtinë, Komisioni Shtetëror për Armë të Vogla dhe të Lehta, në bashkëpunim me përfaqësuesit e SEESAC, kanë diskutuar dhe kanë dhënë komentet lidhur me draft-konceptin e ri të Udhërrëfyesit të ri 2025-2030.

Në këtë takim, u konstatua që Republika e Kosovës ka një dinamikë të shtuar të aktiviteteve në parandalim, qoftë përmes fushatave vetëdijësuese, qoftë përmes aksioneve policore, me qëllim të parandalimit të shtënave me armë dhe konfiskimin e armëve dhe municioneve të paligjshme.