Përfundoi trajnimi i specializuar për zyrtarët e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë të MPB-së

Prishtinë

Në Agjencinë e Kosovës për  Forenzikë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, përfundoi trajnimi   teorik dhe praktik, lidhur me përcaktimin se distancës së qitjes, restaurimin e numrave serik, që do të shërbejë për  përgatitjen në procesin e akreditimit.

Në ceremoninë e përfundimit me sukses të këtij trajnimi të specializuar, morën pjesë: Kryesuesi i Komisionit Shtetëror për Armë të Vogla dhe të Lehta, njëherit zëvendësministër i MPB-së, z. Blerim Gashani, zëvendës-përfaqësuesja  e përhershme e UNDP-së në Kosovë, Ylliya Shcherbinina, zëvendësuesi i drejtorit të Departamentit të Traseologjisë Forenzike, z. Milazim Tahirukaj, si dhe zyrtarë të lartë të MPB-së, AKF-së dhe të Policisë së Kosovës.

Ky trajnim u mbështet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, i cili do të kontribuojë për avancimin e kushteve të punës dhe aspekteve të sigurisë në Kosovë. Trajnimi ka zgjatur dy javë.

Edhe përfundimi i këtij trajnimi të specializuar është në vijimësinë e përpjekjeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Agjencisë së Kosovës për Forenzike në fushën e kontrollit të armëve të vogla dhe të lehta, si dhe në zbatimin me sukses të zotimeve dhe obligimeve që dalin nga Udhërrëfyesi  Rajonal për kontrollin e AVL-ve.