Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit dhe me GIZ –in gjerman në Kosovë, mbajtën konferencën "Strategjia e e-Qeverisjes në funksion të përmirësimit të ofrimit të shërbimeve publike”

Prishtinë
Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit dhe me GIZ –in gjerman në Kosovë, mbajtën konferencën "Strategjia e e-Qeverisjes në funksion të përmirësimit të ofrimit të shërbimeve publike” Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me këtë rast u shpreh se “Sot po e shënojmë një moment të rëndësishëm në rrugëtimin tonë të transformimit digjital. Strategjia e re e E-Qeverisjes 2023-2027 të cilën po e prezantojmë, e vendos vizionin tonë për një administratë publike të digjitalizuar e cila ndikon në mirëqenien e qytetarëve. Ajo poashtu e maksimizon efektivitetin, transparencën dhe llogaridhënien e qeverisjes; si dhe ndikon pozitivisht në rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit. Ky vizion përputhet me pritshmëritë e qytetarëve tanë për digjitalizim. Ministri i Punëve të Brendshme z Xhelal Sveçla, potencoi se në epokën e zhvillimit të hovshëm të digjitalizimit në të cilën ne po jetojmë e shoqëritë po zhvillohen, mendimi strategjik rreth këtij procesi si dhe vizioni për t’u përfshirë në mënyrë sa më efektive në zhvillim të digjitalizimit janë domosdoshmëri. “Vendi ynë ka potencial të mjaftueshëm për transformim digjital andaj duke pasur parasysh këtë fakt, po ashtu edhe modelet dhe praktikat më të mira, vizionin e Qeverisë sonë për investim dhe ngritje të kapaciteteve në këtë fushë, përkundër të gjitha sfidave që mund të dalin gjatë këtij transformimi, besojmë se do e kalojmë me sukses.” tha ministri Sveçla. Ambasadori gjerman në Prishtinë Jorn Rohde, në fjalimin e tij  u shpreh se  Gjermania dhe Kosova po punojnë së bashku për digjitalizimin e sektorit publik dhe shërbimet për qytetarë, meqë kjo është bërë thelbësore për secilën demokraci moderne në botë. “Digjitalizimi i sektorit publik ka potencial që të përmirësoj konsiderueshëm jetën e qytetarëve të Kosovës, duke krijuar mirëbesim përmes transparencës, llogaridhënies, zbatim më të mirë të ligjeve, ofrim i përmirësuar i  shërbimeve brenda qeverisë dhe ofrim përmirësim të sigurisë ligjore. Të gjitha këto, do të sjellin Kosovën më afër qëllimit të saj afagjitë për anëtarësim në BE” tha Rohde gjatë fjalimit te tij. Në përmbyllje të konferencës u vlerësua se avantazhi që i prinë procesit të digjitalizimit në vendin tonë është se pas një pune intensive, tashmë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës kemi shtrirje të sistemeve të telekomunikimit dhe internetit, që do të jetë hap dukshëm më lehtësues në ofrimin apo zgjerimin e shërbimeve tona në mënyrë elektronike.

Skedarët për shkarkim