Vizita e Ministrit Veliu në Veri të vendit

Prishtinë

Ministri i Punëve të Brendshme, z. Agim Veliu, i shoqëruar nga Zëvendësministri i MPB-së z. Milan Radojeviç dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z.Rashit Qalaj, vizitoi sot Komunën e Zubin Potokut, Stacionin Policor në këtë komunë, si dhe pikën kufitare në Bërnjak.

Me këtë rast ministri Veliu u njoftua për së afërmi me punën dhe aktivitetet e këtyre institucioneve, sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohet Komuna e Zubin Potokut, zyrtarët policorë në këtë komunë, si dhe policët dhe zyrtarët tjerë kufitar, në veçanti gjatë kësaj kohe të menaxhimit të pandemisë COVID-19.

Me Kryetarin e Komunës së Zubin Potokut, z. Srdjan Vulovic u bisedua mbi thellimin e bashkëpunimit të kësaj komune me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe institucionet shtetërore në përgjithësi, e në veçanti për nevojën e përforcimit të bashkëpunimit dhe të besimit të qytetarëve të kësaj komune në institucionet tona.

Ministri Veliu u prit edhe nga Komandanti i Stacionit Policor z.Zvezdan Milivojevic i cili e falënderoj ministrin për vizitën në komunën e tyre dhe njëkohësisht kërkoj që t’u mundësohet ndërtimi i stacionit të ri policor në këtë komunë.

Ndërkaq, në pikën kufitare të Bërnjakut, Ministri pa nga afër punën që po bëjnë policët kufitar dhe doganierët në qarkullimin e mallrave dhe njerëzve mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, por edhe në zbatimin e rregullave të pandemisë, ashtu si në të gjitha pikat tjera kufitare.