Fjala e Ministrit të Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, në ceremoninë e inaugurimit të skanerit mobil për automjetet në pikën kufitare të Merdarës.
I nderuar Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve z. Hekuran Murati,
E nderuar znj. Anu Prattipati – E ngarkuar me punë pranë ambasadës së ShBA-ve në Kosovë,
I nderuar Drejtor i Doganave të Kosovës z. Agron Llugaliu,
I nderuar Zëvëndësdrejtor i Përgjithshëm z. Fehmi Hoti
Të nderuar përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare,
Rritja e sigurisë mbetet një nga prioritetet kyçe të institucioneve të Republikës sonë, në funksion të ruajtjes së rendit dhe ligjit, mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial dhe garantimit të sigurisë së qytetarëve. Siguria e kufirit përbën një shtyllë themelore të sigurisë kombëtare dhe të funksionimit të plotë të shtetit ligjor.
Në një kontekst të ndryshimeve të shpejta globale dhe të rritjes së rreziqeve të sigurisë, ndërtimi dhe fuqizimi i kapaciteteve të reja kufitare janë të domosdoshme për garantimin e stabilitetit dhe forcimin e aftësisë së institucioneve tona për t’u përballur me sfidat bashkëkohore. Investimet në teknologji moderne, infrastrukturë dhe burime njerëzore janë elemente kyçe për një menaxhim efektiv dhe të qëndrueshëm të kufirit.
Në këtë drejtim, jam shumë i lumtur që sot, këtu në Pikën Kufitare në Merdare, po inaugurojmë skanerin “Rapiscan”, i cili vjen si donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky donacion përfaqëson jo vetëm një avancim të rëndësishëm teknologjik, por edhe një dëshmi konkrete të partneritetit të fuqishëm dhe të qëndrueshëm ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kapacitetet e reja si ky skaner në fushën e sigurisë kufitare rrisin ndjeshëm aftësinë e institucioneve për parandalimin, zbulimin dhe menaxhimin efektiv të kërcënimeve ndërkufitare. Ato mundësojnë kontroll më të avancuar dhe më të besueshëm të kufirit, reagim më të shpejtë në situata të ndjeshme dhe ndërhyrje të koordinuar, në përputhje të plotë me ligjin dhe standardet ndërkombëtare të sigurisë.
Kjo mbështetje për institucionet tona do të ndikojë drejtpërdrejt në forcimin e luftës kundër veprimtarive të paligjshme si kontrabanda me armë, mallëra, narkotikë dhe qenie njerëzore, që cenojnë sigurinë e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve tanë, duke kontribuar njëkohësisht edhe në rritjen e sigurisë rajonale dhe më gjerë.
Falë këtyre kapaciteteve të reja, siguria e kufirit do të ngrihet në një nivel më të lartë, duke garantuar një qarkullim më të sigurt dhe më të shpejt të mallërave, si dhe një menaxhim më efikas, profesional dhe të qëndrueshëm të kufirit të Republikës së Kosovës.
Shprehë falënderimin tim për këtë donacion të vlefshëm, si dhe mirënjohjen e vazhdueshme për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ofruar ndër vite për institucionet tona të sigurisë.
Po ashtu, falënderoj edhe zyrtarët policorë kufitarë dhe zyrtarët e Doganave të Republikës së Kosovës, për punën e tyre profesionale, përkushtimin e vazhdueshëm dhe angazhimin e palodhshëm në kryerjen e detyrave të tyre të përditshme, duke qenë në vijën e parë të mbrojtjes së kufirit dhe të zbatimit të ligjit. Ju faleminderit!