Finalizohet kontrata mes Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Komunës së Mitrovicës së Veriut për shfrytëzimin e objekteve brenda kompleksit të ish-Remontit

Prishtinë

  

Finalizohet kontrata mes Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Komunës së Mitrovicës së Veriut për shfrytëzimin e objekteve brenda kompleksit ish-Remont, një nga objektet destinohet për Qendër për përkujdesjen dhe strehimin e viktimave të dhunës në familje

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka nënshkruar me Kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Veriut Erden Atiq kontratën për shfrytëzimin e objekteve brenda kompleksit ish-Remont, hapësirë kjo që i është dhënë MPB-së në shfrytëzim nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut.

 

Pas finalizimit të kësaj kontrate, Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu dhe Nënkryetarja e Komunës së Mitrovicës së Veriut Katarina Adjancic kanë nënshkruar marrëveshjen ku një nga objektet e këtij kompleksi është destinuar për Qendër për përkujdesjen dhe strehimin e viktimave të dhunës në familje.

 

Ministria e Punëve të Brendshme në koordinim me institucionet e të gjitha niveleve mbetet e përkushtuar në shërbim të qytetarëve, avansim dhe shtim të shërbimeve për të gjithë dhe pa dallim.