U mbajt takimi i 13-të lokal i grupit për zbatimin e udhërrëfyesit për AVLE
Prishtinë
Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës, mbajti takimin e 13-të lokal koordinues për udhërrëfyesin, për një zgjidhje të qëndrueshme për zotërimin e paligjshëm, keqpërdorimin dhe trafikimin e Armëve të Vogla dhe të Lehta dhe Eksplozivëve (AVLE).
Takimin e hapi, Koordinatori Kombëtar për AVLE-të, njëherit zëvendësministër i Punëve të Brendshme, z. Blerim Gashani, i cili theksoi se këtë takim po e hap me shumë dëshirë për shkak të shumë të arriturave dhe rezultateve që kemi pasur përgjatë këtyre viteve të zbatimit të Udhërrëfyesit Rajonal për kontrollin e AVLE-ve.
Zëvendësministri Gashani, vuri në dukje gjatë kësaj periudhe raportuese, kapacitetet tona teknike përmes pajisjeve të specializuara për policinë kufitare, agjencinë e forenzikës janë fuqizuar ndjeshëm, gjithashtu kapacitetet njerëzore në fushën e analizës së riskut, fuqizimin e aspekteve balistike në ekzaminimin e armëve dhe municionit, janë fuqizuar.
“Dëshiroj të nënvizoj edhe zhvillimin e platformës e-learning në Policinë e Kosovës ku do të përfshihen të gjitha trajnmet që janë zhvilluar në kuadër të Udhërrëfyesit Rajonal për Kontrollin e AVLE, si dhe trajnimet e tjera për rreth 12,000 personel policorë. Unë jam i sigurt që si në të gjitha fushat tjera në veçanti ato të sigurisë ku ju na keni përkrahur me mjete financiare dhe ekspertë, edhe Udhërrëfyesi i Ri 2025-2030 për Armë të vogla dhe të lehta do të zbatohet dhe do të jetë i suksesshëm”, theksoi zëvendësministri Gashani në këtë takim.
Ndër të tjera, në këtë takim zëvendësministri Gashani theksoi aktivitetet e parapara në zhvillimin e përbashkët të kapaciteteve policore të Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shtetit Shqiptar në fushën e Policimit në Bashkësi dhe ndërlidhjen me Policimin e Udhëhequr nga Inteligjenca, në fushën e kategorizimit të armëve, municionit, eksplozivëve, identifikimin dhe njohjen e mjeteve eksplozive dhe atyre artizanale si dhe mjeteve piroteknike si dhe aspektet e ekzaminimeve balistike dhe armëve të konvertuara janë zbatuar me sukses dhe sipas planifikimeve.
“Pas projektit të përbashkët që kemi zbatuar para tre viteve me Republikën e Maqedonisë së Veriut, ky projekt respektivisht objektivë e përbashkët e cili zbatohet nga zyrat e UNDP-së në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë është një ndër projektet më të suksesshme dhe në kuadër të zbatimit të udhërrëfyesit rajonal për kontrollin e AVL-ve, shtetet tona janë të vetmet që kanë filluar këtë bashkëpunim dhe bashkërisht përmbushim zotimet për zbatimin e udhërrëfyesit rajonal”, thekoi zëvendësministri Gashani.
Ai theksoi se Republika e Kosovës, sikurse edhe vendet e Ballkanit perëndimore janë shumë të cenueshme sa i përket trendëve të reja të trafikimit të AVL-ve dhe konvertimit, por që mbështetja e pa rezervë e partnerëve tanë ndërkombëtarë në zbatimin me sukses të udhërrëfyesit direkt është duke kontribuuar në ngritjen e sigurisë, detektimin dhe konfiskimin e armëve ilegale.
Në fund zëvendësministri Gashani, theksoi se përkundër këtyre vështirësive, dëshiroj që edhe njëherë të ri-konfirmoj se Republika e Kosovës është e përkushtuar dhe shumë serioze që ta implementojë këtë udhërrëfyes në përpikëri dhe në mënyrën sa më të mirë të mundshme.
Në këtë takim folën edhe ambasadorë, zëvendës-ambasador, përfaqësues të BE-së, të cilët janë mbështetës në këtë proces, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare që janë partnerë në zbatimin e Udhërrëfyesit për AVLE-të.
Gjatë këtij takimi u prezantuan të dhënat se i përket zbatimit të aktiviteteve për AVLE-të për periudhën raportuese, ndërsa partnerët e MPB-së që e mbështesin në të gjitha aktivitet, u zotuan se edhe në të ardhmen do të vazhdojnë të përkrahin Ministrinë e Punëve të Brendshme në të gjitha iniciativat për zvogëlimin e rreziqeve nga AVLE-të.