Zëvendësministri i MPB-së Blerim Gashani nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi me Mbretërinë e Bashkuar

Prishtinë

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, mori pjesë  në takimin e radhës  të Komitetit të Përbashkët Mbikëqyrës të Task Forcës së Përbashkët Mbretëri e Bashkuar-Shqipëri-Kosovë, që u mbajt në Tiranë. Ky takim ka për qëllim forcimin e  mëtutjeshëm të bashkëpunimit dhe angazhimit në kuadër të kësaj Task-Force.

Takimi i bashkëkryesuar nga Bas Javid, Drejtori i Përgjithshëm për Zbatimin e Emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar, Zëvendësministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Blerim Gashani dhe Zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Andi Mahila, trajtoi çështje kyçe për të adresuar sfidat e migrimit të parregullt dhe luftimin e rrjeteve kriminale dhe veprimtarive te paligjshme. Po ashtu, të tri delegacionet  rikonfirmuan  angazhimin e tyre për operacione të përbashkëta që synojnë mbrojtjen e kufijve dhe menaxhimin e migrimit si dhe forcimin e partneritetit midis Kosovës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë për të parandaluar migrimin e parregullt.

Ky takim shënon edhe një hap tjetër të rëndësishëm në rritjen e sigurisë publike në Republiken e Kosovës, Republikën e Shqipërisë  dhe Mbretërinë e Bashkuar, përmes përpjekjeve të përbashkëta për të luftuar krimin e organizuar dhe për të menaxhuar sfidat e migrimit në mënyrë efektive.

Në këtë takim u nënshkrua Memorandum Mirëkuptimi në mes të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës dhe Departamentit të Punëve të Brendshme (Home Office) të Mbreterisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe  Irlandës së Veriut mbi Shkëmbimin e Informacionit Rast pas Rasti. Në emër të  MPB-së së Republikës së Kosovës, Memorandumi u nënshkrua nga z. Blerim Gashani, Zëvendësministër,  ndërsa në emër të Home Office u nëshkrua nga z. Bas Javid, Drejtori i Përgjithshëm për Zbatimin e Emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar.  Ky Memorandum mundëson shkëmbimin më efektiv të të dhënave  në fushën në migrimit, kontrabandimit me migrantë si  dhe sigurinë kufitare.