Fjala e plotë e Ministrit të MPB-së, Xhelal Sveçla në konferencën e sotme për media:

Të nderuar gazetarë, 

Në mbledhjen që sapo përfundoi, ne morëm disa vendime të rendësishme me qëllim të ruajtjes së paqes, sigurisë dhe vlerave demokratike të Republikës së Kosovës. 

Mbajtja e një ambienti të sigurtë, përmes sundimit të ligjit, respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, është dhe do të jetë një ndër prioritetet kryesore të Republikës së Kosovës. 

Si Ministër i Punëve të Brendshme dhe njëherit si Koordinator Nacional për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Luftimin e Terrorizmit, së bashku me institucionet e sigurisë vazhdimisht jemi duke punuar në identifikimin, parandalimin dhe reagimin ndaj kërcënimeve potenciale ndaj sigurisë, integritetit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. 

Së bashku me partnerët tanë dhe gjithmonë duke i konsideruar standardet më të afirmuara ndërkombëtare, kemi arritur të krijojmë një kornizë ligjore dhe institucionale të aftë për tu përballur me terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm. 

Institucionet tona kanë qenë vazhdimisht aktive në identifikimin, hetimin dhe dënimin e  subjekteve të përfshira në terrorizëm. Përgatitja institucionale për reagim ndaj terrorizmit dhe suksesi i arritur nga institucionet e Republikës së Kosovës vlerësohen lartë edhe nga raportet ndërkombëtare dhe nga partnerët strategjik të Republikës së Kosovës.

Duke u thirrur në analizat dhe vlerësimet e sigurisë nga institucionet tona, jemi informuar se terrorizmi dhe ektremizmi i dhunshëm vendor është prezent në pjesën veriore të Mitrovicës. 

Kemi informacione të sakta se grupe të cilat janë tashmë të identifikuara nga institucionet tona, kanë kryer akte të shumta terroriste në pjesën veriore të vendit si:

  • Sulmi ndaj zyrtarëve/zyres së Komisionit Komunal Zgjedhor në veri të vendit në dhjetor të vitit 2022;
  • Sulme të armatosura nga zyrtarëve të Policisë së Kosovës, pjesëtarëve të KFOR-it dhe zyrtarëve të Misionit të EULEX-it;
  • Djegie e organizuar e veturave të pajisura me targa legale “RKS”;
  • Sulme dhe kanosje ndaj kundërshtarëve politik dhe qytetarëve me qëllim të pengimit të pjesëmarrjes së tyre në zgjedhjet lokale;
  • Trafikimi dhe posedimi i armatimit me qëllim të kryerjes së sulmeve terroriste ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës;
  • Sulmet ndaj gazetarëve dhe punonjësve të mediave;
  • Zjarrvënie të pronave publike dhe private si dhe 
  • Sulmi me granatë dore ndaj objektit të Komunës së Mitrovicës së Veriut.
    - Po ashtu, tashmë jeni në dijeni edhe të lajmit mbi sulmin ndaj pikës statitke të Policisë së Kosovës ndodhur natën e mbrëmshme.

Këto grupe, me strukturë të mirë-organizuar, kanë pjesëtarë të përgatitur për kryerjen e akteve terroriste, të armatosur dhe me burime financiare të mjaftueshme për realizimin e qëllimeve të tyre. Qëllimet kryesore të tyre janë rrezikimi dhe kërcënimi i sigurisë shtetërore, me saktësisht destablizimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. 

Këto grupe kërcënojnë sigurinë shtetërore përmes veprimeve të ndërmarra nga brenda territorit, por edhe nga jashtë kufijve të Republikës. 

Përmes këtij vendimi në mënyrë të menjëhershme ndalohet veprimtaria në territorin e Republikës së Kosovës e grupeve të listuara në vendimin e Qeverisë. Veprimtaria e tyre është  paligjshme dhe do të ndëshkohet në përputhje me legjislacionin në fuqi. Institucionet e Republikës së Kosovës do të ndërmarrin veprime adekuate për zbatimin e këtij Vendimi, në përputhje me procedurat dhe kornizën ligjore relevante si dhe praktikat ndërkombëtare.

Vendimi për shpalljen e “Mbrojtjes civile” e njohur si “Civilna Zastita” dhe “Brigadës së Veriut” e njohur si “Severna Brigada” si grupe dhe/apo entitete terroriste në Republikën e Kosovës, vjen si reagim i domosdoshëm për mbrojtjen e jetës, pronës dhe rendit Kushtetues. 

Terrorizmi, si fenomen i cili vazhdimisht evoluon, nuk  kërcënon vetëm jetën dhe pronën, por edhe vlerat demokratike dhe mënyrën e jetesës në shoqëri. Prandaj, politika shtetërore e Republikës së Kosovës në parandalimin dhe luftimin e terrorizmit bazohet në dënimin e të gjitha akteve dhe formave të terrorizimit, pavarësisht rrethanave, vendndodhjes, kohës dhe mënyrës së kryerjes.

Vendimi për shpalljen e “Mbrojtjes civile”dhe  “Brigadës së Veriut” si grupe dhe/apo entitete terroriste, është pjesë e angazhimit të Republikës së Kosovës në përpjekjet për të ndalur rrezikimin e sigurisë në vend, rajon dhe më gjerë nga veprimtaria terroriste. 

Ky vendim, bën përfundimisht ndarjen e qartë mes qytetarëve tanë në komunat veriore nga grupet/entitetet terroriste me qëllim të garantimit të jetës së qetë dhe të sigurtë si dhe të çlirimit të qytetarëve tanë serb nga shantazhet, kërcënimet dhe sulmet e vazhdueshme nga këto grupe/entitete terroriste.

Aktet e terrorizimit paraqesin kërcënim global. Ato nuk mund të parandalohen dhe luftohen vetëm. Republika e Kosovës do të vazhdojë të jetë pjesë aktive në luftën kundër terrorizmit dhe financimit të tij, përmes bashkëpunimit dhe koordinimit të ngushtë me partnerët dhe mekanizmat ndërkombëtarë. 

Ne do t’i ndajmë me kohë të gjitha detajet e këtij procesi me partnerët tanë strategjikë, për t’i siguruar se procesi ka qenë legjitim dhe vendimi mëse i nevojshëm.



Ju falënderoj!


Skedarët për shkarkim