Kryeministri Kurti dhe ministri Sveçla vizituan Inspektoratin Policor të Kosovës
Prishtinë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, vizituan Inspektoratin Policor të Kosovës, ku u pritën nga Kryeshefi i IPK-së, z. Kushtrim Hodaj.
Në fjalën e tij, kryeministri tha se viteve të fundit IPK-ja ka rritur ndjeshëm efikasitetin në trajtimin e ankesave të qytetarëve, duke u shndërruar në një adresë të besueshme institucionale për çdo shqetësim ndaj veprimeve të Policisë së Kosovës.
“Një IPK e fortë do të thotë një polici më e pastër. Një polici më e pastër do të thotë një shtet më i drejtë dhe një shtet më i drejtë do të thotë më shumë besim për qytetarët”, tha ai.
Kryeministri Kurti theksoi se Inspektorati Policor i Kosovës e ka forcuar praninë institucionale në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe katër komunat në veri të vendit, duke rritur qasjen, besimin dhe barazinë institucionale për të gjithë qytetarët.
Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, vuri në dukje se Inspektorati Policor i Kosovës, si institucion, ka rol të drejtpërdrejtë në forcimin e besimit të qytetarëve në Policinë e Kosovës dhe në funksionimin e shtetit të së drejtës, duke siguruar që çdo shkelje e ligjit të trajtohet me profesionalizëm dhe paanshmëri.
“Gjatë viteve të fundit, kemi punuar së bashku që IPK të shënojë rezultate të rëndësishme në përmbushjen e mandatit të tij ligjor. Janë trajtuar mijëra ankesa të qytetarëve, janë zhvilluar hetime profesionale dhe janë ndërmarrë masa konkrete disiplinore dhe penale ndaj rasteve të shkeljeve brenda radhëve të Policisë së Kosovës”, theksoi në fjalën e tij ministri Sveçla.
Po ashtu, ministri Sveçla vlerësoi se operacionet dhe aktivitetet e ndryshme të IPK-së mbeten dëshmi e qartë e përkushtimit institucional në luftën kundër korrupsionit, keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe çdo forme tjetër të paligjshmërisë.
Ministri Sveçla vlerësoi gjithashtu zgjerimin e pranisë institucionale në të gjithë territorin e vendit, përfshirë edhe katër komunat në veri, si dhe avancimin e transparencës dhe komunikimit me qytetarët përmes mekanizmave të raportimit dhe projektit që u prezantua sot.
Në fund, ai tha se Ministria e Punëve të Brendshme do të vazhdojë të mbështesë IPK-në me të gjitha kapacitetet e nevojshme, përfshirë rritjen e stafit dhe fuqizimin e kapaciteteve operative, me qëllim të avancimit të mëtejmë të këtij institucioni të rëndësishëm të zbatimit të ligjit.
Ndërsa, Kryeshefi i IPK-së, z. Kushtrim Hodaj, falënderoi kryeministrin Kurti dhe ministrin Sveçla për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme për IPK-në. Me këtë rast, ai bëri një përmbledhje të të arriturave të IPK-së dhe prezantoi platformën për monitorimin e stacioneve policore në Kosovë.