Në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet MPB-së dhe MMPH-së, u themelua Garda për Mbrojtjen e Natyrës

Prishtinë

Në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, u themelua Garda për Mbrojtjen e Natyrës.

Me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, Ministrit të Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla dhe Ministres së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, znj. Fitore Pacolli Dalipi, u nënshkrua sot memorandumi i bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive, i cili parasheh themelimin e Gardës për Mbrojtjen e Natyrës.

Në kuadër të këtij funksioni, aktivistë mjedisorë, bjeshkatarë, peshkatarë, fotografë të natyrës dhe vullnetarë do të bashkëpunojnë ngushtë me Policinë e Kosovës në shërbim të mbrojtjes së mjedisit. Qëllimi i këtij memorandumi është parandalimi dhe luftimi më efikas i krimeve mjedisore, si dhe forcimi i mekanizmave institucionalë për mbrojtjen e natyrës.

Ndërgjegjësimi qytetar dhe bashkëpunimi i drejtpërdrejtë me institucionet e sigurisë do të luajnë rol kyç në trajtimin më të shpejtë dhe më efikas të rasteve të krimeve mjedisore, duke ndërtuar një partneritet të qëndrueshëm në funksion të ruajtjes së ambientit.

Themelimi i Gardës për Mbrojtjen e Natyrës shënon një hap të rëndësishëm drejt rritjes së përgjegjësisë kolektive për mbrojtjen e pasurive natyrore të vendit tonë. Institucionet e Republikës së Kosovës mbeten të përkushtuara për të garantuar mbrojtjen e natyrës si një vlerë e përbashkët dhe një detyrim ndaj brezave të ardhshëm.