Jeta Tela: Baza e një kohezioni social nënkupton drejtësi në shoqëri, barazi në jetën e përditshme dhe besim në institucione

Prishtinë

Shefja e Kabinetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, znj. Jeta Tela, mori pjesë në konferencën “Social Cohesion in Divided Societies”, e organizuar nga Konsorciumi Syri i Vizionit, EDUTASK dhe OJQ AKTIV, mbështetur nga  GCERF-Global Community Engagement and Resilience Fund,  theksoi rëndësinë e ndërtimit të besimit ndërmjet komuniteteve, forcimit të bashkëpunimit institucional dhe përfshirjes së barabartë të të gjithë qytetarëve në jetën shoqërore.

Me këtë rast, znj. Tela vuri në dukje se ky organizim është dëshmi se shoqëria jonë dhe institucionet e Kosovës i adresojnë sfidat hapur, me përgjegjësi dhe me guxim institucional, por edhe shoqëror.

Në fillim të fjalës së saj, znj. Tela theksoi se, edhe bazuar në emrin e kësaj konference, kohezioni social është dhe mbetet një temë aktuale, pasi nënkupton drejtësi në shoqëri, barazi në jetën e përditshme dhe besim në institucione. Pa këto elemente nuk ka stabilitet të qëndrueshëm, as kohezion social.

“Republika e Kosovës, fatmirësisht dhe me mbështetjen e aleatëve tanë, sot nuk është më në fazën e ndërtimit të të drejtave në letër. Ne i kemi këto të drejta të garantuara dhe të avancuara me Kushtetutë. Por tani jemi në fazën kur këto të drejta duhet të zbatohen në të gjithë vendin dhe të shfrytëzohen plotësisht nga të gjithë qytetarët, pa dallim”, theksoi Tela.

Duke folur për rëndësinë që ka kohezioni social, Tela tha se ai është i lidhur ngushtë edhe me mirëqenien ekonomike dhe sociale. Për këtë arsye, Qeveria ka ndërmarrë masa konkrete për përmirësimin e jetës së qytetarëve, përmes rritjes së pagave dhe pensioneve, vendosjes së pagës minimale dhe mbështetjes për kategori të ndryshme sociale.

“Ne besojmë në pjesëmarrje aktive dhe në përballje të ideve. Prandaj, institucionet e Republikës së Kosovës do të vazhdojnë bashkëpunimin me shoqërinë civile, si dhe takimet e drejtpërdrejta me qytetarët, pa barriera, për të dëgjuar shqetësimet e tyre dhe për të ofruar zgjidhje konkrete”, theksoi Tela.

Shefja e Kabinetit të Ministrit të MPB-së tha se, në këtë linjë, është mbështetur dhe fuqizuar edhe policimi në bashkësi, përmes të cilit Policia e Kosovës, me qasjen e saj proaktive dhe bashkëpunimin e drejtpërdrejtë me qytetarët, ka arritur të ndërtojë ura besimi në shumë komunitete. Kjo veçanërisht në katër komunat në veri të vendit, ku në vazhdimësi janë adresuar institucionalisht shqetësimet e qytetarëve, duke kontribuar drejtpërdrejt në zgjidhjen e tyre.

 

Në fund, znj. Tela ritheksoi se Ministria e Punëve të Brendshme mbetet e vendosur të mbështesë çdo iniciativë që forcon dialogun, rrit besimin dhe përmirëson mirëqenien e qytetarëve, si dhe rrit sigurinë për secilin në të gjithë vendin.