Ministri Sveçla priti në takim Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadorin Gerard McGurk

Prishtinë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, priti sot në takim Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadorin Gerard McGurk.

Me këtë rast, Ambasadori McGurk e uroi Ministrin Sveçla për riemërimin e tij në detyrën e Ministrit të Punëve të Brendshme. Gjatë takimit, bashkëbiseduesit vlerësuan lart bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Misionit të OSBE-së në Kosovë.

Takimi u përqendrua në thellimin e mëtejmë të këtij bashkëpunimi, me fokus në forcimin e sigurisë publike dhe në luftimin efikas të krimit të organizuar, korrupsionit, terrorizmit si dhe formave të tjera të kriminalitetit.

Ambasadori McGurk shprehu gatishmërinë e plotë të Misionit të OSBE-së për të vazhduar mbështetjen dhe për të kontribuar në identifikimin e modaliteteve konkrete për arritjen e objektivave të përbashkëta.