Ministri Sveçla mori pjesë në hapjen e Konsullatës së Nderit të Republikës së Lituanisë në Republikën e Kosovës

Prishtinë

Ministri Sveçla mori pjesë në hapjen e Konsullatës së Nderit të Republikës së Lituanisë në Republikën e Kosovës 

 

Më poshtë keni fjalën e plotë të Ministrit Sveçla:

 

I nderuar Ambasador z. Borisovas,

I nderuar Konsull Nderi z. Zeqiri,

I nderuar Nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës z. Gola,  të nderuar përfaqësues të korit diplomatik, misioneve që shërbejnë në Kosovë dhe organizatave ndërkombëtare, të nderuar të pranishëm,

 

Është kënaqësi e veçantë për mua që sot të jem këtu me ju, për të shënuar një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet tona dypalëshe, hapjen e Konsullatës së Nderit të Republikës së Lituanisë në Republikën e Kosovës.

 

Ky hap përfaqëson jo vetëm një prani institucionale, por edhe një dëshmi konkrete të miqësisë dhe bashkëpunimit të qëndrueshëm ndërmjet dy vendeve tona.

Marrëdhëniet ndërshtetërore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Lituanisë kanë qenë që nga fillimi të shkëlqyera dhe të ndërtuara mbi vlera të përbashkëta demokratike. Në këtë kontekst, dëshiroj të theksoj se Lituania ishte ndër shtetet e para që njohu pavarësinë e Kosovës, vetëm pak javë pas shpalljes së saj 18 vite më parë. Ky akt i rëndësishëm përbën themelin e raporteve tona të shëndosha dhe shprehje të qartë të përkrahjes për të drejtën e popullit tonë për liri dhe shtetësi.

 

Që nga ajo kohë, Lituania ka qenë një aleate e vazhdueshme e Kosovës në proceset e shtetndërtimit, konsolidimit institucional dhe integrimit euroatlantik. Kontributi i qytetarëve lituanezë në kuadër të KFOR është edhe një dëshmi konkrete e përkushtimit të këtij shteti ndaj paqes, rendit dhe stabilitetit në vendin tonë dhe në rajon.

Hapja e sotme e Konsullatës së Nderit të Lituanisë në Kosovë përbën një hap të ri dhe të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit tonë, duke krijuar mundësi shtesë për forcimin e lidhjeve politike, ekonomike, kulturore dhe ndër njerëzore ndërmjet dy popujve tanë.

 

Krahas kësaj ngjarjeje të rëndësishme, sot shënojmë edhe 108-vjetorin e shpalljes së Aktit të Pavarësisë së Lituanisë, një moment historik që hodhi themelet e një shteti të pavarur, të ndërtuar mbi parimet e vetëvendosjes dhe demokracisë. Kjo datë përfaqëson gurthemelin juridik dhe historik të afirmimit shtetëror të Lituanisë dhe një burim frymëzimi për të gjithë popujt që kanë kaluar rrugën e lirisë.

 

Me këtë rast, më lejoni që, në emër të Qeverisë dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës, të ju uroj përzemërsisht këtë ditë të shënuar juve që jeni të pranishëm këtu dhe mbarë popullit lituanez.

 

Duke ju falënderuar për përkrahjen e vazhdueshme, jam i bindur se miqësia ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Lituanisë do të vazhdojë të forcohet edhe mëtej, e udhëhequr nga respekti i ndërsjellë, vlerat e përbashkëta dhe vizioni ynë i përbashkët.

 

Le të shërbejë hapja e kësaj Konsullate si një kapitull i ri i