MPB organizon punëtori për Planin e Ri të Përbashkët të Veprimit kundër Terrorizmit
Prishtinë
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka mbajtur një punëtori për finalizimin e Udhërrëfyesit të Planit të Ri të Përbashkët të Veprimit për Parandalimin dhe Luftimin e Terrorizmit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm për Ballkanin Perëndimor.
Punëtorinë e hapi shefja e Kabinetit të ministrit të MPB-së, znj. Jeta Tela, e cila theksoi rëndësinë e këtij dokumenti në kuadër të prioriteteve strategjike të Qeverisë së Kosovës dhe të MPB-së, me qëllim të strukturimit të mënyrës së luftimit të kësaj dukurie jashtëzakonisht të rrezikshme, e cila ka ndikim jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe më gjerë.
Me këtë rast, znj. Tela theksoi se ky dokument do të adresojë në mënyrë të qartë qasjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme për luftimin e këtij fenomeni. Ajo ofroi mbështetjen e ministrit të MPB-së për anëtarët e grupit punues, në mënyrë që të gjitha adresimet që dalin nga ky dokument të kenë mbështetje institucionale për zbatim sa më efektiv.
Qëllimi i kësaj punëtorie ishte diskutimi dhe harmonizimi i prioriteteve strategjike, si dhe përfshirja e kontributeve institucionale në procesin e finalizimit të udhërrëfyesit për zbatimin e Planit të Ri të Përbashkët të Veprimit.
Gjatë punëtorisë u prezantua Plani i Ri i Përbashkët të Veprimit, ndërsa në kuadër të sesioneve tematike pjesëmarrësit diskutuan çështje që lidhen me ndërtimin e një kornize të fuqishme për luftimin e terrorizmit dhe parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm. Diskutimet përfshinë strukturat institucionale, përshtatjen ligjore, si dhe kapacitetet e implementimit dhe zbatimit.
Të gjithë pjesëmarrësit dhanë inputet e tyre lidhur me aktivitetet dhe rolin e institucioneve që përfaqësojnë, me qëllim të përfshirjes së tyre në Udhërrëfyesin përfundimtar.
Punëtoria do të vazhdojë me sesione të tjera, ku në kuadër të këtij dokumenti do të përfshihen pesë objektiva strategjikë, të cilët do të ofrojnë orientim të qartë për veprimet në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.