MPB organizon punëtorinë dyditore për fuqizimin e sistemit të kthimit dhe hartimin e Udhërrëfyesit për Kthim
Prishtinë
Ministria
e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me institucionet tjera relevante dhe me
partnerët zbatues si IOM, Frontex, ICPMD, JCP, si dhe Ministrinë për Drejtësi
dhe Siguri të Mbretërisë së Holandës, ka mbajtur një punëtori dyditore të
fokusuar në fuqizimin e sistemit të kthimit, si pjesë e përpjekjeve për
harmonizimin me standardet e Bashkimit Evropian në fushën e qeverisjes së
migrimit.
Punëtoria
është zhvilluar në kuadër të projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian dhe
Veprimit të Përbashkët për Fuqizimin e Sistemeve të Menaxhimit të Kthimit në
Ballkanin Perëndimor, duke reflektuar mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për
ndërtimin e një sistemi kthimi efektiv, të qëndrueshëm dhe të bazuar në
respektimin e të drejtave të njeriut.
Në qendër të diskutimeve gjatë punëtorisë ishte Udhërrëfyesi për Kthim, si instrumenti kryesor për garantimin e procedurave të drejta dhe transparente të kthimit, përfshirë respektimin e parimit të moskthimit, qasjen në ndihmë juridike efektive dhe mbështetjen e qëndrueshme për riintegrim.
Gjatë dy ditëve të punëtorisë, përfaqësues të institucioneve përkatëse, të udhëhequra nga Ministria e Punëve të Brendshme, përkatësisht Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion, së bashku me partnerët zbatues, u angazhuan në një dialog të hapur dhe konstruktiv për të identifikuar nevojat prioritare, sfidat ekzistuese dhe veprimet konkrete që do të përfshihen në Udhërrëfyes.
Udhërrëfyesi pritet të ketë ndikim pozitiv në fuqizimin e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimin e menaxhimit të kthimit, në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.
Institucionet përfituese kanë shprehur përkushtimin për të kontribuar në mënyrë aktive në këtë proces dhe për të bashkëpunuar ngushtë me të gjithë partnerët, me synimin e hartimit të një Udhërrëfyesi realist, të zbatueshëm dhe të orientuar drejt rezultateve konkrete.