Ministri Sveçla priti në takim një grup të studentëve nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara të Vjenës

Prishtinë

Ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, priti sot në një takim një grup të studentëve të nivelit master në fushën e demokratizimit dhe të drejtave të njeriut, në kuadër të Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Vjenës.

Ministri Sveçla i njoftoi studentët mbi mandatin dhe mekanizmat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe mbi rezultatet e arritura, përmes të cilave Republika e Kosovës është ranguar lart në raportet kredibile ndërkombëtare. Studentët u informuan po ashtu edhe për sfidat e vazhdueshme të sigurisë, të krijuara ndër vite nga Serbia, me të cilat është përballur Republika e Kosovës në procesin e shtrirjes së sovranitetit dhe ruajtjes së integritetit territorial.

Takimi u zhvillua në format bashkëbisedimi, ku studentët patën mundësi të parashtrojnë pyetje dhe të diskutojnë mbi temat e interesit të përbashkët, përfshirë avancimin e praktikave demokratike, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe forcimin e sundimit të ligjit, si dhe modalitetet e bashkëpunimit në të ardhmen.

Në përmbyllje të takimit, Ministri Sveçla i falënderoi studentët për vizitën dhe interesimin e treguar për Republikën e Kosovës, duke u dëshiruar qëndrim të këndshëm dhe të frytshëm në vendin tonë. Ai ritheksoi gatishmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për bashkëpunim të vazhdueshëm me institucionet akademike ndërkombëtare dhe për mbështetje të iniciativave që kontribuojnë në promovimin e demokracisë, paqes dhe stabilitetit.