Fjala e plotë e Ministrit të MPB-së, Xhelal Sveçla, në punëtorinë e organizuar nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent, e mbështetur nga Komisioni Evropian, Banka Botërore dhe GFDRR
Prishtinë
I nderuar z. Metaj (Drejtor Ekzekutiv i AME-së),
E nderuar znj. Sprouster (zёvendёs udhёheqёse e zyrës së Bankës Botërore nё Kosovё)
E nderuar znj. Klambauer (Udhёheqёse e aktiviteteve dhe Specialiste e Zhvillimit Urban në Bankën Botërore)
I nderuar z. Stirbu (Përfaqësues i Zyrës së BE-së në Kosovë)
Të nderuara media,
Të nderuar të pranishëm,
Kam kënaqësinë që jemi këtu së bashku për të riafirmuar përkushtimin e Republikës së Kosovës në forcimin e sistemit tonë kombëtar të menaxhimit të rrezikut nga fatkeqësitë dhe për të thelluar partneritetet që na ndihmojnë drejt këtij qëllimi.
Të gjithë ne jemi dëshmitarë të një realiteti global ku fatkeqësitë natyrore po bëhen më të shpeshta, më intensive dhe më të paparashikueshme. Ndryshimet klimatike po shkaktojnë përmbytje më të mëdha, thatësira më të gjata, temperatura ekstreme dhe rreziqe të reja që prekin direkt sigurinë, ekonominë dhe jetën e qytetarëve. Vetëm gjatë viteve të fundit, mbarë bota është përballur me valë zjarresh shkatërruese, stuhi të fuqishme, reshje ekstreme dhe fatkeqësi të tjera që kanë shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha ekonomike.
Këto sfida kalojnë kufijtë dhe kapacitetet e çdo shteti individualisht. Asnjë vend nuk është imun dhe kërkohet një nivel krejtësisht i ri i përgatitjes, koordinimit dhe vizionit strategjik. Sistemet efikase të paralajmërimit, koordinimi ndërinstitucional dhe reagimi i shpejtë shpëtojnë jetë, minimizojnë dëme dhe parandalojnë kriza humanitare.
Për këtë arsye, Republika e Kosovës është e përkushtuar të avancojë arkitekturën e saj të emergjencave civile, duke investuar në kapacitete logjistike, teknologji moderne, ngritje të kapaciteteve profesionale dhe forcim të bashkëpunimit ndërinstitucional.
Në këtë rrugëtim, roli i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, Agjencisë së Pyjeve dhe institucioneve tjera relevante është thelbësor. Si Qeveri, jemi të përkushtuar të forcojmë koordinimin ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal, sepse reagimi efektiv ndaj fatkeqësive fillon nga komuniteti, pra nga qytetarët, të cilët duhet të jenë të informuar dhe të përgatitur mbi reagimin në situata emergjente.
Kjo qasje e integruar forcon bashkëpunimin ndërinstitucional dhe e shtrin mbështetjen nga njohja e rrezikut deri te gatishmëria e plotë operacionale.
Mbështetja e partnerëve tanë ndërkombëtarë përballë këtyre sfidave është e një rëndësie të jashtëzakonshme. Me këtë rast, më lejoni të shpreh mirënjohjen e veçantë për Komisionin Evropian (DG ECHO) dhe Bankën Botërore, në bashkëpunim me Fondin Global për Zvogëlimin e Rrezikut dhe Rimëkëmbjen nga Fatkeqësitë (GFDRR), për mbështetjen e vazhdueshme dhe të çmuar përmes projekteve TAFF 1 (2024–2026) dhe TAFF 2 (2025–2027). Këto iniciativa strategjike po japin një kontribut të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve të Republikës së Kosovës në menaxhimin e rrezikut dhe përballimin e fatkeqësive.
Të nderuar të pranishëm,
Gatishmëria kombëtare përbën themelin e sigurisë së çdo shteti, është një politikë që prek drejtpërdrejt mirëqenien, sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Është investim në mbrojtjen e jetëve, mjedisit, ekonomisë dhe të ardhmes sonë.
Republika e Kosovës është e përkushtuar të ndërtojë një sistem të qëndrueshëm, të koordinuar dhe proaktiv, i cili vendos parandalimin dhe reagimin e shpejtë në qendër të politikave tona publike.
Më lejoni të ju falënderoj për praninë tuaj dhe për angazhimin e përbashkët në këtë fushë kaq të rëndësishme për sigurinë e vendit tonë. Kontributi i secilit prej jush si institucione vendore, partnerë ndërkombëtarë dhe ekspertë është i domosdoshëm për të ndërtuar një sistem më të fortë, më të përgatitur dhe më të qëndrueshëm të menaxhimit të emergjencave në Republikën e Kosovës.
Puna dhe përkushtimi juaj na japin besim se së bashku do të arrijmë rezultate edhe më të mëdha në shërbim të qytetarëve tanë.
Ju faleminderit!