Zëvendësministri Dobra merr pjesë në Dialogun e Nivelit të Lartë për Reformën e Administratës Publike në Romë
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Bardhyl Dobra, mori pjesë në Dialogun e Nivelit të Lartë të Ballkanit Perëndimor, i cili u zhvillua në Romë me temën “Partneritet për Reformë”. Kjo ngjarje, e organizuar nga Shkolla Rajonale e Administratës Publike (ReSPA), Ministria e Administratës Publike e Italisë dhe Shkolla Kombëtare e Administratës (SNA), bashkoi ministra dhe zyrtarë të lartë nga Ballkani Perëndimor, vendet anëtare të BE-së dhe Italia, të cilët u mirëpritën nga Ministri i Administratës Publike i Italisë, z. Paolo Zangrillo, për të shkëmbyer përvoja, për të diskutuar rreth reformave aktuale administrative dhe për të eksploruar mundësi bashkëpunimi rajonal.
Gjatë Takimit të Mbyllur të Ministrave dhe panelit ministror para të gjithë pjesëmarrësve, Zëvendësministri Dobra theksoi arritjet e Kosovës në modernizimin e administratës publike, duke nxjerrë në pah dy prioritete kryesore për vitin 2026: transformimin digjital dhe modernizimin e burimeve njerëzore.
Ai theksoi se Kosova po avancon drejt një administrate publike moderne dhe efektive, duke përmirësuar platformën e-Kosova në një sistem të plotë dhe interoperativ, si dhe duke forcuar rekrutimet e bazuara në meritë, me synim rritjen e profesionalizmit dhe përfaqësimit të grave dhe profesionistëve të rinj në pozitat udhëheqëse të shërbimit civil.
Kosova do të thellojë bashkëpunimin me ReSPA dhe partnerët italianë për të përmirësuar qeverisjen digjitale, udhëheqjen dhe menaxhimin e cilësisë së shërbimeve publike.