MPB dhe UNDP organizuan punëtori për rishikimin e Ligjit për Armët dhe Ligjit për Përdorimin Civil të Eksplozivëve
Prishtinë
Ministria e Punëve të Brendshme respektivisht Departamenti për Siguri Publike/Divizioni për Armë, Municion dhe Eksplozivë me mbështetje nga UNDP në Kosovë/Programi për Siguri (KSSP) ka organizuar një punëtori njëjavore e cila u fokusua në rishikimin dhe ndryshimin e Ligjit për Armët dhe Ligjit për Përdorimin Civil të Eksplozivëve. Ky proces i rishikimit po hap rrugën për përditësimin e Ligjit për Legalizimin dhe Dorëzimin Vullnetar të armëve ilegale, një hap që ndihmon drejtpërdrejt forcimit të kontrollit të armëve të vogla dhe të lehta dhe rritjen e sigurisë publike në përgjithësi. Punëtoria është organizuar në kuadër dhe në linjë me Udhërrëfyesin Rajonal për Kontrollin e AVLE-ve 2025–2030, i cili kërkon harmonizimin e legjislacionit të Kosovës për armët me Direktivën e BE dhe rregulloret e tjera përkatëse.
Në këtë punëtori kanë marrë pjesë anëtarët e Komisionit të AVLE-ve përfshirë edhe përfaqësues nga policia, departamentet ligjore të MPB dhe PK, Departamenti për Integrime Evropiane i MPB, Doganat, Këshilli Gjyqësor, Këshilli Prokurorial, Pika Kryesore e Armëve (FFP), Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
Ky aktivitet u mundësua falë mbështetjes së Gjermanisë, Suedisë, Holandës, Francës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Norvegjisë përmes Fondit të Mirëbesimit MPTF si dhe me mbështetjen e fortë të Bashkimit Evropian si partner kyç.