GENC METAJ
SEKRETAR I PËRGJITHSHËM
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
Genc Metaj ka lindur më 20 maj 1979 në Prishtinë.
Z. Genc Metaj ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Trupave Mbrojtëse të Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Z. Metaj ka përfunduar Fakultetin Juridik në Prishtinë në vitin 2008, ndërsa në vitin 2013 ka përfunduar studimet master në Studime të Lidershipit në Universitetin e Teksasit në El Paso, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitin 2010 ka përfunduar shkollimin për Instruktor të Anglishtes Amerikane, me fokus në terminologjinë ushtarake, po ashtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga studimet ushtarake, në vitin 2013 ka përfunduar Akademinë Ushtarake të Rreshter Majorëve në SHBA.
Ai ka përfunduar një numër të madh trajnimesh dhe kursesh ushtarake dhe civile, ka marrë pjesë në shumë konferenca dhe seminare ndërkombëtare në fushën e sigurisë, si dhe ka ligjëruar në disa akademi ushtarake të shteteve anëtare të NATO-s.
Z. Metaj ka ushtruar disa pozita udhëheqëse dhe menaxheriale në Ushtrinë e Kosovës. Ai ka mbi dhjetë vjet përvojë në nivelin strategjik në Forcën e Sigurisë së Kosovës, ku ka mbajtur pozitën më të lartë të Rreshter Majorit Kryesor të Ushtrisë, duke qenë përgjegjës për rreth 2,500 pjesëtarë. Para emërimit në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm, z. Metaj ka shërbyer si Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent në MPB.
Për punë profesionale dhe përfaqësim dinjitoz të Republikës së Kosovës, z. Metaj është shpërblyer disa herë nga institucione vendore dhe ndërkombëtare, ndër to:
· “Medalje për Shërbim të Shquar”, dhuruar nga Komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës, për udhëheqje dhe bashkëpunim në avancimin e Partneritetit Shtetëror ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Gardës Kombëtare të Ajovës.
· Inaugurimi në “Korridorin Ndërkombëtar të Famës”, për performancë të shkëlqyeshme dhe si student i dalluar në Akademinë e Rreshter Majorëve.
· “Medalje për Shërbim të Dalluar”, dhuruar nga Ministri i Mbrojtjes për kontribut të veçantë në ristrukturimin dhe modernizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
· “Medalja ‘E Ardhmja Fillon Këtu’”, dhuruar nga Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës për arritje të larta akademike dhe përvetësim të programit mësimor.
· “Qytetar Nderi” i qytetit El Paso, Teksas, SHBA, i shpallur nga Kryetari i Komunës së El Pasos për përfaqësim dinjitoz të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
· “Medalja e Shërbimit”, dhuruar nga Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
· “Medalje për Shërbim Meritor” në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës.
Z. Metaj është i martuar dhe ka dy fëmijë.