Delegacioni i Ministrisë së Punëve të Brendshme merr pjesë në takimin e zyrtarëve të lartë të Procesit të Pragës në Shkup
Prishtinë
Delegacioni i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i kryesuar nga Shefja e Kabinetit të Ministrit të Punëve të Brendshme, znj. Jeta Tela, dhe me pjesëmarrjen e Drejtoreshës për Bashkëpunim Ndërkombëtar, znj. Merita Vidishiqi, po merr pjesë në takimin e Zyrtarëve të Lartë të Procesit të Pragës, i cili po mbahet më 23-24 qershor në Shkup dhe i paraprinë takimit ministror të planifikuar për janar 2027.
Gjatë takimit, delegacioni i Kosovës rikonfirmoi mbështetjen për Draft-Planin e Veprimit 2028-2032, duke theksuar rëndësinë e politikave migratore të orientuara drejt bashkëpunimit operacional dhe të bazuara në analiza të mirëfillta të trendeve migratore, si dhe promovimin e lëvizshmërisë së rregullt të fuqisë punëtore, kthimit dhe riintegrimit të qëndrueshëm.
Në fjalën e saj, znj. Tela theksoi se politikat e migracionit duhet të mbeten të bazuara në dinjitetin njerëzor, solidaritetin dhe vendimmarrjen e mbështetur në evidencë.
"Migracioni nuk është vetëm çështje e menaxhimit të kufijve, por mbi të gjitha ka të bëjë me njerëzit, komunitetet dhe krijimin e mundësive, duke garantuar mbrojtje për ata që janë më të cenueshëm.", theksoi znj. Tela në këtë takim.
Shefja e Kabinetit theksoi gjithashtu rëndësinë e zhvillimit të politikave gjithëpërfshirëse, duke vënë në dukje se një sistem i qëndrueshëm i migracionit është ai që promovon barazinë, mbron dinjitetin dhe nuk lë pas asnjë fëmijë, asnjë grua apo vajzë dhe as grupet e tjera më të cenueshme.
Delegacioni i Kosovës vuri theks të veçantë në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe zhvillimin e politikave efektive të migracionit, në përputhje me prioritetet e Strategjisë së Migrimit. Gjithashtu, u ritheksua gatishmëria e Republikës së Kosovës për të avancuar më tej bashkëpunimin rajonal, duke përfshirë atë përmes platformës MARRI, kryesimin e së cilës Kosova e merr nga korriku i 2026.
Pjesëmarrja e Kosovës në këtë forum dëshmon përkushtimin e saj për të kontribuar në zhvillimin e politikave të qëndrueshme dhe të bazuara në partneritet, duke promovuar një qasje njerëzore, gjithëpërfshirëse dhe të koordinuar ndaj sfidave dhe mundësive që lidhen me migracionin.