U mbajt takimi i 15-të lokal koordinues për zbatimin e Udhërrëfyesit për AVLE
Prishtinë
Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës, ka mbajtur takimin e 15-të lokal koordinues për zbatimin e Udhërrëfyesit Rajonal për një zgjidhje të qëndrueshme ndaj zotërimit të paligjshëm, keqpërdorimit dhe trafikimit të Armëve të Vogla dhe të Lehta dhe Eksplozivëve (AVLE).
Takimi u hap nga Shefja e Kabinetit të Ministrit të Punëve të Brendshme, znj. Jeta Tela, e cila vlerësoi progresin e arritur në zbatimin e Udhërrëfyesit Rajonal dhe të Strategjisë Kombëtare 2024–2028 për AVLE.
Në fjalën e saj, znj. Tela theksoi se gjatë takimit do të prezantohen arritjet, sfidat dhe nevojat e identifikuara për periudhën korrik–dhjetor 2025, duke theksuar se luftimi i armëve të paligjshme nuk përfaqëson vetëm statistika, konfiskime apo operacione, por para së gjithash siguri më të madhe për qytetarët, familjet dhe shoqërinë.
Duke folur për situatën në vend, veçanërisht në katër komunat në veri të Kosovës, znj. Tela tha se institucionet e rendit dhe ligjit kanë goditur strukturat ilegale dhe rrjetet kriminale, ndërsa sasi të konsiderueshme armësh dhe municionesh janë larguar nga qarkullimi dhe vazhdojnë të konfiskohen edhe gjatë periudhës raportuese.
Gjithashtu ajo theksoi dhe nevojën për forcimin e bashkëpunimit me Europol marrë parasysh se bashkëpunimi më i fortë operacional dhe shkëmbimi më efikas i informacionit do të mundësojnë të përballemi me rrjetet kriminale ndërkombëtare me më shumë shpejtësi dhe efikasitet.
Në takim morën pjesë ambasadorë, zëvendësambasadorë, përfaqësues të Bashkimit Evropian, SEESAC-it, si dhe përfaqësues të organizatave dhe institucioneve vendore e ndërkombëtare.
Gjatë takimit u prezantuan të dhënat dhe progresi i arritur në periudhën raportuese, ndërsa u ritheksua përkushtimi i Republikës së Kosovës për zbatimin e plotë të Udhërrëfyesit Rajonal dhe avancimin e objektivave të tij deri në vitin 2030, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.