Ministri Sveçla dekoron tetë zyrtarë policorë me Medalje për Shpëtim Jete
Prishtinë
Ministri Sveçla dekoron tetë zyrtarë policorë me Medalje për Shpëtim Jete
Prishtinë, 25 maj
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka dekoruar tetë zyrtarë policorë me Medalje për Shpëtim Jete, në shenjë nderimi për guximin, profesionalizmin dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm të treguar gjatë ndërhyrjeve për shpëtimin e jetës së qytetarëve.
Dekorimi u zhvillua në një ceremoni zyrtare ku morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Genc Metaj, si dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës.
Ky vlerësim institucional vjen pas përfundimit të procedurave të parapara sipas udhëzimit administrativ dhe pas shqyrtimit nga komisioni vlerësues, me rekomandim të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, si dhe në përputhje me Ligjin për Policinë.
Më poshtë keni fjalimin e plotë të ministrit Sveçla’
I nderuar Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Hoxha,
I nderuar Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Metaj,
Të nderuar anëtarë të kabinetit,
I nderuar menaxhment i lartë i Policisë së Kosovës,
Të dashur pjesëtarë të Policisë së Kosovës,
Jam tejet i lumtur që sot jemi bashkë për të nderuar punën e tetë zyrtarëve tanë policorë, të cilët me aktin e tyre human dhe fisnik, duke rrezikuar vetveten, i dhanë kuptim të vërtetë misionit të Policisë së Kosovës. Këto akte dëshmojnë se, përveç profesionalizmit të lartë, pjesëtarët tanë policorë bartin edhe vlera të thella humane, të cilat ndërthuren me detyrën dhe përgjegjësinë e tyre zyrtare.
Akti heroik i këtyre zyrtarëve është dëshmi e qartë e përkushtimit të palëkundur të Policisë së Kosovës ndaj qytetarëve të Republikës sonë. Në momente kritike, kur sekondat bëjnë dallimin mes jetës dhe vdekjes, ju veproni me guxim, profesionalizëm dhe humanizëm të jashtëzakonshëm. Pikërisht për këtë, Policia e Kosovës vazhdon të mbetet ndër institucionet më të besuara në vend.
Çdo ditë, zyrtarët tanë policorë janë në shërbim të qytetarëve, duke garantuar rendin dhe sigurinë publike, duke luftuar krimin, duke mbrojtur sovranitetin e vendit dhe duke ofruar ndihmë në çdo situatë emergjente. Ju jeni pranë qytetarëve jo vetëm në momente rreziku, por edhe në çdo sfidë që prek jetën dhe mirëqenien e shoqërisë sonë.
Përmes punës, sakrificës dhe përkushtimit të pandalshëm, ju dëshmoni se uniforma e Policisë së Kosovës përfaqëson përgjegjësi, nder dhe shërbim ndaj atdheut dhe qytetarëve tanë. Për këtë arsye, mirënjohja dhe respekti ynë është i përhershëm.
Sot, duke i nderuar këta zyrtarë policorë, ne nderojmë secilin pjesëtar të Policisë së Kosovës që me integritet, guxim dhe profesionalizëm shërben çdo ditë për sigurinë e Republikës sonë dhe mbrojtjen e jetës së çdo qytetari.
Ju faleminderit për shërbimin dhe përkushtimin ndaj Republikës së Kosovës dhe qytetarëve tanë.