Zëvendësministrat


Enver Dugolli,

zëvendësministër i parë në Ministrinë e Punëve të Brendshme


Enver Dugolli u lind më 27 janar 1963, në Nekoc të Drenicës. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Drenas, ndërsa studimet universitare dhe ato të nivelit master në sociologji i përfundoi në Universitetin e Prishtinës.

Për shkak të veprimtarisë dhe bindjeve të tij politike, u burgos dy herë nga regjimi i atëhershëm: fillimisht në vitin 1981 dhe më pas në vitin 1997. Në burgje të ndryshme vuajti mbi dhjetë vjet dënim. Është njëri nga të mbijetuarit e Masakrës së Burgut të Dubravës, të kryer në maj të vitit 1999. Nga burgosja e dytë u lirua në vitin 2001.


Pas luftës, shërbeu në Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK), ndërsa më pas në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), ku ushtroi një sërë detyrash të rëndësishme ushtarake. Në vitin 2018, nga pozita e Atasheut të Mbrojtjes në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Tiranë, përfundoi karrierën ushtarake dhe u pensionua me gradën e nderit Gjeneral Brigade.


Angazhimin e rregullt politik e nisi në mars të vitit 2018, duke u anëtarësuar në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, ku bëhet edhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm dhe i Komitetit Profesional për Mbrojtje.


Gjatë karrierës së tij ka ushtruar një sërë funksionesh të rëndësishme shtetërore dhe politike. Ka qenë zëvendësministër i parë i Mbrojtjes në Qeverinë Kurti I dhe, për një periudhë të shkurtër, edhe në Qeverinë Kurti II. Është zgjedhur deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës në legjislaturën e VIII dhe të X, si dhe ka shërbyer si nënkryetar i parë i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Aktualisht ushtron detyrën e zëvendësministrit në Ministrinë e Punëve të Brendshme.