Enver Dugolli



Enver Dugolli,

zëvendësministër i parë në Ministrinë e Punëve të Brendshme


Enver Dugolli u lind më 27 janar 1963, në Nekoc të Drenicës. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Drenas, ndërsa studimet universitare dhe ato të nivelit master në sociologji i përfundoi në Universitetin e Prishtinës.


Për shkak të veprimtarisë dhe bindjeve të tij politike, u burgos dy herë nga regjimi i atëhershëm: fillimisht në vitin 1981 dhe më pas në vitin 1997. Në burgje të ndryshme vuajti mbi dhjetë vjet dënim. Është njëri nga të mbijetuarit e Masakrës së Burgut të Dubravës, të kryer në maj të vitit 1999. Nga burgosja e dytë u lirua në vitin 2001.


Pas luftës, shërbeu në Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK), ndërsa më pas në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), ku ushtroi një sërë detyrash të rëndësishme ushtarake. Në vitin 2018, nga pozita e Atasheut të Mbrojtjes në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Tiranë, përfundoi karrierën ushtarake dhe u pensionua me gradën e nderit Gjeneral Brigade.


Angazhimin e rregullt politik e nisi në mars të vitit 2018, duke u anëtarësuar në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, ku bëhet edhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm dhe i Komitetit Profesional për Mbrojtje.


Gjatë karrierës së tij ka ushtruar një sërë funksionesh të rëndësishme shtetërore dhe politike. Ka qenë zëvendësministër i parë i Mbrojtjes në Qeverinë Kurti I dhe, për një periudhë të shkurtër, edhe në Qeverinë Kurti II. Është zgjedhur deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës në legjislaturën e VIII dhe të X, si dhe ka shërbyer si nënkryetar i parë i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.


Aktualisht ushtron detyrën e zëvendësministrit në Ministrinë e Punëve të Brendshme.


Viktor Buzhala

Viktor Buzhala,

zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme

Viktor Buzhala u lind në vitin 1978 në fshatin Çabiq të Klinës. Ai kreu shkollimin fillor dhe të mesëm në Klinë. Studimet universitare i përfundoi në Universitetin e Prishtinës, ku fitoi titullin ekonomist i diplomuar në drejtimin Financa dhe Banka. Karrierën profesionale e nisi në gazetari, duke u përqendruar kryesisht në çështjet ekonomike, financiare dhe gazetarinë hulumtuese. 

Gjatë angazhimit shumëvjeçar në media, ushtroi detyrat e gazetarit, redaktorit dhe drejtuesit të redaksive ekonomike në disa nga mediat kryesore të Kosovës. Në këto funksione, u angazhua në përcjelljen dhe analizimin e zhvillimeve ekonomike, proceseve institucionale dhe çështjeve me interes publik. Përvojën profesionale e pasuroi përmes trajnimeve të shumta brenda dhe jashtë vendit, në fushat e gazetarisë, komunikimit dhe analizës ekonomike, duke zhvilluar më tej aftësitë e tij profesionale, analitike dhe menaxheriale.

Pas një karriere shumëvjeçare në media, Buzhala vazhdoi angazhimin profesional në sektorin e energjisë, ku ushtroi funksione drejtuese në ndërmarrje strategjike të Kosovës, përfshirë Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), Kompaninë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) dhe Kompaninë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO).

Gjatë angazhimit në këto ndërmarrje, fitoi përvojë të rëndësishme në menaxhim, komunikim korporativ, marrëdhënie me publikun dhe trajtimin e çështjeve që lidhen me sektorin energjetik. Kjo përvojë i mundësoi të ndërthurë njohuritë akademike në ekonomi me përvojën në gazetari, komunikim dhe menaxhim, duke zgjeruar njohuritë e tij mbi funksionimin e ndërmarrjeve strategjike dhe proceset institucionale. Përmes pjesëmarrjes aktive në debatin publik, ka trajtuar çështje që lidhen me ekonominë, funksionimin e institucioneve, politikat publike dhe zhvillimet me rëndësi për vendin.

Më 14 tetor 2026, Viktor Buzhala u emërua zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, ku angazhohet në ushtrimin e përgjegjësive institucionale, në shërbim të qytetarëve dhe institucioneve të vendit.