MPB mbajti takimin i radhës së Këshillit të Ministrave për Reformën e Administratës Publike
Prishtinë
Ministria e Punëve të Brendshme mbajti takimin e radhës të Këshillit të Ministrave për Reformën e Administratës Publike (KMRAP).
Në fjalën e tij, Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Z. Bardhyl Dobra, i cili udhëhoqi takimin e Këshillit të Ministrave për RAP-in, tha se, siç është paraparë në programin qeverisës, reforma e administratës publike mbetet prioritet kyç i Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ne synojmë ndryshimin rrënjësor të cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve përmes krijimit të një administrate moderne dhe të aftë për përmbylljen e suksesshme të integrimit të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian. Po ashtu, ai theksoi se të dy strategjitë kanë shënuar një progres të konsiderueshëm gjatë vitit 2024, pavarësisht sfidave dhe vështirësive të identifikuara, me një masë zbatimi mbi 55%.
Këto rezultate janë përshëndetur edhe në raportin e SIGMA (program i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe OECD), i cili mat RAP-in në Ballkanin Perëndimor në 6 fusha të administratës. Në raportin e vitit 2024, SIGMA rendit Republikën e Kosovës në të gjitha 6 fushat më mirë se mesatarja e Ballkanit Perëndimor, duke shënuar një përmirësim të dukshëm në krahasim me raportin e fundit, atë të vitit 2021, ku Kosova ishte më keq se rajoni në 5 prej 6 fushave.
Gjatë takimit të KMRAP, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, në fjalën e saj theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe bashkërendimit institucional në përmbushjen e obligimeve dhe masave reformuese që rrjedhin nga këto dokumente strategjike, me theks të veçantë për sektorin e MINT.
Gjatë këtij takimi u miratuan Raportet Vjetore nga Korniza Strategjike për Reformën e Administratës Publike. Raportet Vjetore për vitin 2024 u vlerësuan si pasqyrë e zbatimit të Strategjisë për Reformën e Administratës Publike dhe Strategjisë për Menaxhimin e Financave Publike, dy dokumente kryesore strategjike në vend, të cilat shënojnë përpjekjet e vazhdueshme të Qeverisë për përmirësimin, reformimin dhe modernizimin e gjithmbarshëm të administratës publike.
Në fund të takimit, pjesëmarrësit u zotuan se Qeveria mbetet e përkushtuar në bashkëpunimin e ngushtë për të siguruar një funksionim të mirëfilltë dhe të qëndrueshëm të administratës publike, përmes zhvillimit, zbatimit dhe rishikimit efektiv të politikave të qeverisë. Ky angazhim do të vijojë me prioritet të lartë, duke siguruar një administratë publike efikase dhe të përgjegjshme, që i shërben qytetarëve dhe institucioneve në mënyrë të qëndrueshme dhe transparente.