
Sqarim mbi kompetencat e zbatimit të Monitorimit Elektronik të Urdhrave Mbrojtës
Prishtinë
Ministria e Punëve të
Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë janë angazhuar aktivisht në krijimin e
kapaciteteve të nevojshme mbi realizimin e Monitorimit Elektronik të Urdhrave
Mbrojtës siç parasheh legjislacioni në fuqi.
Me mbështetjen e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës me ndarjen e
mjeteve të nevojshme buxhetore për këtë projekt jashtëzakonisht të rëndësishëm,
në dhjetor të vitit 2024, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës
është lansuar ky projekt. Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet e
nevojshme që bien në kompetencën e saj duke përfshirë trajnimin e personelit
policor si dhe ka funksionalizuar sistemin në të gjitha Drejtoritë Rajonale të
saj.
Monitorimi Elektronik i Urdhrave Mbrojtës ekzekutohet nga Policia e Kosovës pas
pranimit të aktvendimit të Gjykatave.
Me qëllim të informimit të drejt të opinionit publik, që nga lansimi dhe
aktivizimi i sistemit të monitorimit elektronik, sipas të dhënave zyrtare, janë
lëshuar 8 aktvendime nga Gjykatat përkatëse në Republikën e Kosovës dhe Policia
e Kosovës është duke i zbatuar të njejtat.
Duke vlerësuar faktin se Policia e Kosovës është në gatishmëri me kapacitete të
plota të zbatojë aktvendimet e Gjykatave për monitorim elektronik të urdhrave
mbrojtës, inkurajojmë Gjykatat që të ndërmarrin këtë vendim pa asnjë hezitim,
me qëllim të ngritjes së efikasitetit në reagim dhe parandalim duke kontribuar
kështu drejtpërdrejtë në sigurinë e viktimave të dhunës në familje.